39-vjeçari Altin Çoku, i cili akuzohet se ka shtyrë drejt vetëvrasjes 27-vjeçaren Sibela Abedini, ka mbërritur sot në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij.
Para se të niste seanca gjyqësore, 39-vjeçari e ka cilësuar arrestimin e tij të paligjshëm duke thënë se foton në rrjetet sociale nuk e ka publikuar ai vetë.
“Jam arrestuar në mënyrë të paligjshme, sepse dihet kush e ka bërë shpërndarjen në media. Foton e ka nxjerrë shtetasi A.H. Jam përdorues i TikTok-ut si gjithë të tjerët”.
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 39-vjeçarin, por do jetë gjykata ajo që do vendosë pasi të shqyrtojë dosjen hetimore.
Rikujtojmë se 27-vjeçarja Sibela Abedini i dha fund jetës, duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit, mbrëmjen e 10 shkurtit. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën ‘Teuta’ Kamëz, aty ku 27-vjeçarja jetonte prej një muaji me familjarët e saj. Ajo ishte e martuar me një shqiptar nga Kosova dhe bashkë ishin prindër të një vajze 2-vjeçare.
Familjarët e 27-vjeçares kanë dyshime se e reja mund të jetë vrarë, pasi thonë se ajo nuk do e linte kurrë vetëm vajzën për të cilën kujdesej aq shumë.