Sezoni i ardhshëm mund ta gjejë Nedim Bajramin larg Sasuolos. Megjithëse këtë sezon nuk ka mundur të jetë titullar i përhershëm për jeshilzinjtë, lojtari shqiptar ia ka dalë të tërheqë vëmendjen e klueve të tjera në Serinë A. Mediat italiane raportojnë se surpriza e kampionatit italian, Bolonja, është vënë pas 25-vjeçarit të Kombëtares kuqezi.
Drejtori teknik i Bolonjës ishte i pranishëm në stadium në përballjen e fundit të Sasuolos kundër Leçes, ku ka ndjekur nga afër Nedim Bajramin. Kjo nuk është hera e parë që Sartori shfaqet në tribunë për fantazistin shqiptar. Më herët, zyrtari i Bolonjës e ndoqi nga afër në miqësoren e Shqipërisë kundër Kilit, e cila u zhvillua një muaj më parë. Mbetet për t’u parë nëse kuqeblutë do të paraqesin një ofertë zyrtare në verë. Kujtojmë se Bolonja është shumë pranë kualifikimit për në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.