Eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço ka folur mbi gjendjen shëndetësore të avokatit Sokol Mëngjesi i cili mëngjesin e kësaj të mërkure u dhunua barbarisht nga tre persona.
Në studionin e emisionit “Top Story” Karamuço tregoi se Mëngjesi ndodhet në gjendje kritike për jetën. Me lot në sy eksperti tha se orët në vijim janë të vështira dhe shpresojnë që gjendja e avokatit të përmirësohet.
“Po vij nga spitali. Ndajmë bashkë të njëjtën punë me Mëngjesin. Njeri korrekt, familjar, profesionist. Është në orë kritike për jetën. Është një natë shumë e vështirë dhe shpresojmë t’ia hedhë. Është në koma”, tha Karamuço.
Kujtojmë se ngjarja u regjistrua rreth orës 08:50 në zonën e ish-bllokut në Tiranë, sapo avokati kishte dalë nga kopshti ku dhe kishte çuar djalin e tij të vogël.
Dorian Alia, i cili është vetëdorëzuar, Drivald Alia dhe Elton Kasaj dhunuan me leva hekuri dhe sende të forta avokatin Mëngjesi. Ndërkohë, Romario Tabaku i ndihmoi autorët që të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, Dritan Nano dyshohet se është organizatori i sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Sipas asaj që u bë me dije dhe më herët nga policia, avokat Mëngjesi ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në apel një familje e cila kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij.
Pala fituese nuk ka rënë dakord dhe nuk ka respektuar detyrimet që ka pasur ndaj avokatit dhe studios ligjore. Kanë qenë në total 8 trashëgimtarë që i përfaqësonte Mëngjesi dhe një nga ata nuk ka pranuar që të zbatojë kontratën dhe t’i paguajë detyrimet avokatit.
Sokol Mëngjesi ka kërkuar që të respektohet kontrata e firmosur para gjyqit, mirëpo vetëm njëri prej trashëgimtarëve, konkretisht 58-vjeçari Dritan Nano nuk ka pranuar të shlyejë pagesën.
Për këtë avokati ka hapur gjyq ndaj Nanos, proces që e ka fituar dhe përmbarimi ka bllokuar pronën, duke mos e lejuar që të vijoj shitja. Më pas Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte.
Mësohet se Mëngjesi dhe Nano janë takuar një muaj më parë për tu sqaruar, mirëpo nuk kanë rënë dakord, pasi avokati ka ritheksuar se ka një kontratë që 58-vjeçari duhet ta zbatojë. Si rrjedhojë i gjendur në këtë situatë dyshohet se Dritan Nano ka angazhuar të afërmit e tij Dorian Alia, Drivald Alia dhe Elton Kasaj dhe Romario Tabaku dhe ka organizuar sulmin barbar ndaj avokatit Mëngjesi.
Detajet e ngjarjes:
Arrestohet organizatori i sulmit-Dritan Nano
Vetëdorëzohet – Dorian Alia
Në kërkim:
Elton Kasaj
Romario Tabaku
Drivald Alia