Berat Gjimshiti është një nga liderët e Kombëtares. Mbrojtësi përjetoi për herë të parë emocionet e një kampionati europian, i cili është edhe më shumë i rëndësishëm për të, pasi mbajti në krah edhe shiritin e kapitenit.
Gjimshiti ka reaguar në rrjetet sociale pas eliminimit të Kombëtares nga Euro 2024. Kapiteni ndihet më shumë se kurrë krenar që udhëheq këtë skuadër, ndërsa thekson se ky është vetëm fillimi i një të ardhme të ndritur për Shqipërinë.
Rrugëtimi në Euro 2024 ishte i jashtëzakonshëm, ndërsa nënvizon se Kombëtares i mungoi fati. Në fund, por jo më pak e rëndësishme, falenderoi të gjithë tifozët për mbështetjen që i shtuan këtij turne “lezetin”.
“Një rrugëtim i jashtëzakonshëm që nga kualifikueset deri në Kampionatin Evropian. Treguam karakter si Kombëtare duke u paraqitur në fushë si të barabartë me gjigantë evropianë, por që na mungoi edhe fati për të arritur më shumë. Të jem kapiten i Kombëtares në një Evropian, është krenaria më e madhe për mua dhe t’i udhëheq këta bashkëlojtarë të mrekullueshëm ka qenë diçka unike. Dua t’i falënderojë tifozët më të mirët në botë, tifozët Kuq e Zi që nuk na kanë lënë vetëm në asnjë moment duke na përkrahur me të gjitha mënyrat, por një falënderim edhe më i madh për ta është se treguan kulturë të lartë sportive, duke bërë që e gjithë Evropa të flasë mirë për ta dhe për kombin shqiptar. Kombëtarja ka të ardhme të ndritur dhe ky është vetëm një fillim i gjërave edhe më të mëdha që na presin. Përgjithmonë Kuq e Zi, Forca Shqipëria ime. #BGJ6”, shkruan kapiteni kuqezi.