Gledio Muka është kamerieri 36-vjeçar, i cili mbeti i vrarë në atentatin e mesnatës së kaluar në Memaliaj.
Muka ka qenë në krye të detyrës, duke shërbyer, kur plumbat e kallashnikovit që kishin shënjestër tjetër, i morën jetën.
Si pasojë e këtij atentati mafioz humbi jetën edhe njê tjetër i pafajshëm, klienti 47-vjeçar, Marsel Çela. Ai ka qenë brenda në lokal duke pirë një pije në momentin që plumbat kanë mbërthyer lokalin në qendër të Memaliajt.
Shënjestër e këtij atentati ka qenë 74-vjeçari Shyqyri Kalemi, babai i Andrea dhe Zamir Kalemit. Ai ishte ulur në një tavolinë jashtë lokalit bashkë me vëllain e tij Artur Kalemi, kur plumbat i morën jetën.
Shkaku kryesor i këtij atentati, me dy viktima të pafajshme, dyshohet të jetë hakmarrja pasi dy djemtë e Kalemit u kanë shpëtuar disa atentateve.
Andrea Kalemi dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022. Ndërsa vrasja e tij mendohet se ka patur si motiv hakmarrjen për vrasjen e Aleksandër Sadikajt.