Një qytetar ka denoncuar një rast të rëndë mashtrimi nga gazetari sportiv Tami Kona në redaksinë e JOQ.
“Pershendetje! Uroj te jeni mire! Faleminderit per punen e pa lodhur qe beni per tu ardhur ne ndihme Shqipetareve! Dua te denoncoj nje rast mashtrimi nga nje gazetar sportiv TAMI KONA.
Qe para 8 muajsh kemi paguar per 6 bileta per ndeshjen e pare te Europianit dhe deri diten e ndeshjes Tami na ka premtuar per biletat, duke na dhene siguri te plote me fjale.”
Sipas provave që qytetari disponon, rreth 8 muaj më parë, ai së bashku me të njohur të tij i kanë dhënë pagesën Konës për gjashtë bileta për ndeshjen e parë të Kampionatit Europian të futbollit. Gazetari u kishte premtuar biletat dhe kishte dhënë garanci të plota me fjalë deri në ditën e ndeshjes.
“Para se të rezervonim biletat e avionit dhe hotelet, e mora për konfirmim dhe ai më tha të vazhdoja, duke më siguruar se biletat ishin të sigurta,”-rrëfen qytetari i mashtruar. “Ditën e ndeshjes, ai na tha të shkonim te stadiumi dhe se për pak minuta do të vinin biletat në email, por ato nuk erdhën kurrë. Na la aty duke pritur dhe asgjë nuk ndodhi.”
Pas këtij incidenti, qytetari ka vazhduar të kontaktojë gazetarin për të kërkuar kthimin e parave, por deri më tani, ai nuk ka marrë asnjë kompensim. “Ka kaluar më shumë se një muaj nga ndeshja dhe ai nuk na kthen as lekët tona. Çdo ditë thotë një gënjeshtër të re, duke premtuar kot, por paratë nuk i ka kthyer.”
Qytetari thotë se mund të ketë edhe shumë viktima të tjera të skemave të mashtrimit nga Tami Kona dhe bën thirrje për drejtësi. “Zoti e di sa veta të tjerë ka mashtruar njësoj si ne. I kam thënë prej kohësh që nëse vazhdon të mashtrojë, do të publikoj rastin te JOQ, por duket se nuk e ka problem të zbulohen mashtrimet e tij.”