I zhgënjyer nga një marrëdhënie e stisur romantike me këngëtaren Dua Lipa, Gianfranco Bonzi gjendet i vdekur pasi u shpall i zhdukur disa muaj më parë.
Sipas informacioneve i ndjeri u mashtrua në rrjetet sociale nga dikush që pretendonte se ishte këngëtarja Dua Lipa. Bonzi u zhduk në Milano pesë muaj më parë, ndërsa trupi që u gjet para një muaji në lumin Adda është konfirmuar nga analizat se është ai.
59-vjeçari ishte administrator pallati dhe kishte bërë një postim në rrjet pak para se të zhdukej.
“Ky është postimi im i fundit dhe një nga veprimet e fundit të jetës time. Arsyeja është një zhgënjim romantik që nuk mund të përballoja”, shkruante ai.
Policia beson se Bonzi ka rënë viktimë e një mashtrimi në internet me kriptovaluta, ndërsa raportimet sugjerojnë se mashtruesi pretendonte se ishte këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare Dua Lipa.
Sipas një deklarate të një të njohuri, besohet se viktima i ka dërguar para këngëtares së rreme.
“Më thoshte se ajo e quante “dashuria ime”. Kishte bërë dy tërheqje në bankë nga rreth 2,500 euro secila prej fillimit të vitit. Në fillim të marsit më tha se i kishte dërguar para. Më pas, ajo ishte zhdukur. Ai u zemërua dhe u stresua. Ishte i bindur për marrëdhënien që kishte me të dhe ndihej i tradhtuar. U zhgënjye shumë.”
Sipas provave, policia dyshon se Bonzi është vetëvrarë pas trazirës emocionale.