Në hetimin e dosjes së inceneratorëve është e faktuar tashmë hetimi me standarde të dyfishta nga ana e Prokurorisë së Posaçme, por bashkë me të është faktuar edhe standardi i dyfishtë i një pjese të mirë të mediave, përfshirë edhe ato që e klasifikojnë veten si opozitare.
Bëhet fjalë për media të të gjitha llojeve, nga një televizion kombëtar që pretendon se mbron interesin e qytetarëve, deri te portalet periferike që e përshkruajnë veten opozitare. Në këtë grup të gjerë mediatik mund të shohësh çdo ditë kronika e shkrime për inceneratorët.
Në këto burime mediatike, shifrat që qarkullojnë në ajër për dëmin që i është shkaktuar shtetit janë nga më të larmishmet. Herë denoncohen 22 mln euro, herë 57 milionë, herë 128 milionë e herë 420 milionë euro.
Nga ana tjetër, të njëjtat media nuk gjen asnjë minutë e asnjë rresht të flitet për një prej vjedhjeve më të mëdha të buxhetit të shtetit dhe xhepave të shqiptarëve, koncesionin e rrugës Lekaj-Fier.
Në këto media, ky koncesion prezantohet si strategjik, që lidh nyjet kryesore ekonomike të vendit dhe shqiptarëve u fshihet fakti se për një rrugë ku 90 për qind e aksit është e ndërtuar janë bashkuar 8 kompani për t’i vendosur traun me pretendimin se do të investojnë 360 milionë euro, kur në të vërtetë investimi i vetëm që do të kryejnë është ai i vendosjes së traut dhe vjeljes së tarifës për kalimin e tij.
Nga vetë plani i biznesit të dorëzuar nga gjashtë kompanitë në ofertën fituese ato e pranojnë se të ardhurat që pritet të arkëtojnë nga tarifat janë të paktën 1.3 miliardë euro. Shifra është 10 herë më e madhe se shifra për të cilën akuzohen inceneratorët.
Por, pavarësisht kësaj në këto media ky s’përbën lajm. Po pse? Arsyeja është e thjeshtë. Në njërën prej këtyre kompanive është i përfshirë drejtpërdrejt një televizion kombëtar me lidhje të forta me familjen e Sali Berishës.
Kjo vetëm për koncesionin Lekaj-Fier, pa marrë atë Thumanë-Kashar të fituar nga Gener 2. Edhe në këtë koncesion plani i biznesit të kompanisë parashikon të paktën 1.3 miliardë euro fitime në përfundim të afatit 35-vjeçar.
E thënë më thejsht, bëhet fjalë për një aferë që mund të shkojë deri në 5 miliardë euro, ose sa një e treta e prodhimit të brendshëm bruto të vendit dhe 10 e 20 herë më shumë se shifra për të cilën akuzohen kuturru inceneratorët. Megjithatë, për këto media kombëtare e ‘opozitare’ ky nuk përbën lajm.
©Copyright Vox News