Ditë më parë qarkulloi lajmi se Klubi i Futbollit Kukësi do të bëhet me pronarë të rinj, pasi familja Gjici mori vendimin për shitjen e të gjitha aksioneve që ka në zotërim, pra 100% të klubit.
Gjithashtu u tha se pronarët e rinj të Kukësit do të jenë dy persona, një shqiptar dhe një tjetër lituanez. Ndërkohë, së fundmi mësohet se nuk kemi të bëjmë me një akt shitje të klubit verilindor, por me një akt dhurimi.
Sipas asaj që Report Tv raporton mësohet se ish-kryebashkiaku dhe pronari i FK Kukësit, Safet Gjici ia ka dhuruar klubin për një periudhë të pacaktuar biznesmenit Atilio Guranjaku.
Kushti i vetëm që familja Gjici i ka vendosur Guranjakut është që të mos e shesë, pasi në një të ardhme jo të largët ata kërkojnë që t’i rikthehen sërish si zotërues të FK Kukësit.
Ndërkohë sjellim në vëmendje se gjatë udhëheqjes të familjes Gjici, Kukësi përjetoi epokën e tij më të artë duke u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar aty ku fitoi 1 titull kampion, 2 Kupa dhe 1 Superkupë, si dhe kalimi i disa tureve në kualifikueset europiane ku arritja më e lartë ishte në sezonin 2013-2014 ku shkuan deri në Play-Off të Europa League.