Deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi ishte i ftuar në Ditarin e A2 CNN ku foli në lidhje me protestën që komuniteti shqiptar mbajti këtë të hënë në Bujanoc nën moton “Protestojmë për identitet dhe dinjitet”.
Shaip Kamberi tregoi se shqiptarët në Luginën e Preshevës prej 2 dekadash presin që të zbatohen marrëveshjet që garantojnë të drejtat e tyre, të cilat parashikohen edhe në Kushtetutën e Serbisë, por edhe nga Bashkimi Europian.
Sipas Kamberit, asnjë qeveri në Serbi nuk ka nisur një dialog të sinqertë me shqiptarët.
“Prej dy dekadash në një tentativë për dialog me Beogradin zyrtar për të drejtat e shqiptarëve, kemi 3 marrëveshje që nuk po zbatohen. Serbia refuzon të drejtat minimale për ne dhe kështu që protestat ishin të nevojshme. Nuk njihen diplomat, nuk na lenë simbolet kombëtare, gjuhën shqipe, mospjesëmarrjen e shqiptarëve në organet shtetërore. Këto të drejta garantohen nga Kushtetuta e Serbisë, por i kërkon dhe BE. Asnjë qeveri në Serbi nuk ka nisur një dialog të sinqertë me ne. Shqiptarët shihen si armik. Serbia, strategji ka shpopullimin e luginës nga shqiptarët”, tha Kamberi.