Turistët në vendin tonë shumë shpejt do të kthehen në banorë të përhershëm. Për zviceranin, Mark Shofer, punimet e drugdhendjes janë një arsye përse ai ka vendosur të trajnohet në këtë zanat.
“Ishim duke shëtitur në qytet në kërkim të aktiviteteve tërheqëse, asnjëherë nuk jam marrë me një gjë të tillë, thjesht më kujtohet diçka nga vitet e shkollës, kështu që ishte me të vërtetë kënaqësi të mësoja për traditat e këtushme”,-tha Mark Shofer, turist.
Ai shprehet se gjithçka nisi rastësisht por tashmë ndihet i tërhequr nga ky zanat tradicional.
“Nuk kam patur më përpara informacion për mjeshtërinë e drugdhendjes që e keni si traditë të veçantë, mendoj se nuk jam profesionist por po praktikohem mjaft mirë, aq më tepër që këtu pata një mësues shumë të mirë”, vazhdoi më tej Mark.
Me daltën e drugdhendësit turisti nga Zvicra po realizon punimet e para që për të janë mbresëlënëse.
“Kur të kthehem në vendin tim Zvicër do t’ju flas me kënaqësi miqve të mi për këtë përvojë të veçantë që patëm këtu. Është shumë bukur që keni trashëguar në breza mjeshtëri të tilla, kjo tregon për historinë dhe traditat e pasura të Shqipërisë, duhet ti zhvilloni ato më tej”,-tha ai.
Marku apelon që vlera të tilla të traditave shqiptare duhet të ruhen dhe transmetohen tek të rinjtë.