Spanja nuk e njeh ende Kosovën si shtet dhe ky fakt është bërë një problem serioz për Vedat Muriqin.
Futbollisti kosovar ndihet i shqetësuar për faktin se familja dhe miqtë e tij nuk po mund ta vizitojnë në Mallorca për faktin se shtetasit e Kosovës nuk kanë të drejt të futen në territorin spanjoll përkundër pajisjes me viza “schengen”.
Në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Ultimahora”, “Pirati” theksoi se ky është një diskriminim dhe shkelje e të drejtave të njeriut, duke kërkuar nga autoritetet spanjolle që të reflektojnë.
“Së shqetëson shumë ky fakt sepse kjo do të thotë se familja ime ose miqtë nuk mund të vijnë këtu. Duhet të marrësh vizë nga Maqedonia, por del se vizat janë vetëm për maqedonasit. Unë vetë pata shumë probleme me lejen e qëndrimit dhe arrita në një pikë që thashë: Do të flas me klubin dhe po iki. Në fund u rregullua. Gjithashtu nuk më pëlqen që La Liga nuk na njeh. Një gjë është politika dhe një tjetër, sporti. Pastaj flitet shumë për ‘Jo për racizmin’, por ky është racizëm. Sporti duhet të shërbejë për t’i bashkuar njerëzit, jo për t’i ndarë ata”, deklaroi njëri prej sulmuesve më të mirë të La Ligas.
Muriqi edhe pak kohë më parë kishte bërë thirrje nga Spanja që ta njohë shtetin e Kosovës.
Ai po luan me sukses tek Mallorca me të cilën e i ka realizuar 12 gola dhe i ka bërë dy asistime, duke shkuar me hapa të sigurt drejt thyerjes së rekordeve në klubin ishullor.
© SYRI.net