Prindërit e Lulzim Toçit, autorit të krimit të rëndë në Itali, ku ai vrau bashkëshorten përpara dy fëmijëve të vegjël, kanë zbuluar disa detaje që mund të ndihmojnë në sqarimin e ngjarjes.
Xhelal Toçi, babai i autorit, tregoi për gazetarin Enver Doçi se lajmin e mori në mesnatë nga gazetarët, duke shprehur ngushëllime për familjen e gruas së ndjerë.
“Më mirë qeveria ta vrasë tim bir”, shprehet ai.
Ndërkohë që policia italiane ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare mbi arsyet që e shtynë Lulzim Toçin të kryejë krimin, babai i tij sugjeron se ngjarja mund të ketë qenë rezultat i ndërrimit të medikamenteve që 30-vjeçari merrte për trajtimin e depresionit.
Ai tregoi se djali i tij ishte në trajtim prej një viti dhe ishte paralajmëruar nga mjeku që të mos e linte vetëm, pasi kishte rrezik që të kryente ndonjë veprim të rëndë. Duhet kujtuar se, kur policia e gjeti autorin, ai ndodhej në një gjendje konfuzioni.
“Lajmin e morëm vesh në 12 të natës nga gazetarët. Çifti kishte ngatërresa, kishin konflikte por u pajtuan. Erdhi nga Italia dhe e mori. Djali prej një viti ishte i sëmurë, pasi bëri divorcin me bashkëshorten merrte ilaçe për depresionin. E çova në Peshkopi dhe më pas në Tiranë. Doktori i Tiranës më tha mos e lini djalin vetëm sepse mund të bëjë diçka të madhe. Kokrrat i kanë bërë dëm sepse ka ndërruar ilaçet. I pinte çdo ditë ilaçe. Jemi të frikësuar, policia na ka thënë mos dilni jashtë”, u shpreh ai.