Një aksident tragjik ndodhi mbrëmjen e sotme në aksin nacional Lushnjë-Berat, në zonën e Kashtëbardhit, ku humbi jetën 25-vjeçari që shihni në fotot e mëposhtme, Petro Piti.
I riu, banues në Urën Vajgurore, Berat, ishte shofer dhe pronar i një pike karburanti në zonën ku jetonte.
Ai po transportonte karburant me një autobot kur ndodhi përplasja fatale me një mjet bujqësor, zetor. Përplasja ishte aq e fortë saqë shkaktoi përmbysjen e autobotit, i cili përfundoi në një kanal kullues.
25-vjeçari mbeti i bllokuar në automjet për më shumë se një orë, deri në momentin kur banorët e zonës së bashku me efektivët e policisë dhe zjarrfikësit, arritën ta nxirrnin me shumë vështirësi.
Për fat të keq, pavarësisht përpjekjeve për shpëtim, Petro nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të rënda.
Sipas hetimeve paraprake, të dy mjetet lëviznin në të njëjtin drejtim dhe dyshohet se shoferi i autobotit nuk e vuri re mjetin bujqësor. Në përpjekje për të shmangur përplasjen, autoboti u përmbys, duke rezultuar me humbjen e jetës së 25-vjeçarit.