Rei Manaj ishte një nga mungesat e rëndësishme të Shqipërisë në ndeshjet e muajit tetor, pasi ai nuk ia doli të ishte pjesë e grumbullimit të trajnerit Silvinjo për sfidat ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë. Lojtari është dëmtuar muajin e kaluar në kampionatin turk dhe nuk është riaftësuar ende.
Por futbollisti të paktën ka nisur stërvitjen me grupin e futbollistëve të Sivaspor, gjithmonë i monitoruar nga stafi mjekësor i këtij klubi. Ai ka zhvilluar seancat e para stërvitore dhe pritet të jetë shumë shpejt në fushë, ndonëse jo në ndeshjen e parë pas pauzës së kombëtareve ku ekipi i tij përballet me Hatajaspor.
Trajneri Bylent Ujgun, theksoi për mediat turke se kthimi i Manajt parashikohet për fundjavën pas saj, në duelin ndaj Adana Demirspor.
“Ai dëshironte të luante edhe pse ishte i sëmurë, i thashë që të mos luante. Megjithatë, nëse një lojtar i tillë dëshiron të luajë, ti nuk mund ta ndalosh. Ai shënoi një gol, u dëmtua dhe la lojën. Për të do të jetë e vështirë që t’ia dalë për ndeshjen ndaj Hatajaspor. Megjithatë, besoj se do të jetë në fushë për ndeshjen ndaj Adana. Ekipi ynë mjekësor ishte i suksesshëm në rikuperimin e shpejtë të tij”, tha trajneri i klubit turk.
Kthimi në fushë i Manajt shton alternativat në repartin e avancuar për Kombëtaren kuqezi për ndeshjet vendimtare të muajit nëntor, që ;luhen në Tiranë përballë Çekisë dhe Ukrainës.
PANORAMASPORT.AL