Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, dha disa detaje nga seanca me dyer të mbyllura për masën e sigurisë ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Meta u la në burg ndërkohë që Kryemadhi në detyrim paraqitje.
“Nuk e di nëse prokurorët kanë patur informacione që Meta mund të arratisej. Por ata pretendojnë se mund të ndikojë të dëshmitarët apo marrja e provave. Pretendojnë se vepra e korrupsionit ka ndodhur në kohë të ndryshme dhe rrezikon sipas tyre, që mund të kryhet sërish prej tij. Prandaj duhet të qëndrojë në arrest me burg.
Seanca e ditës së djeshme ka qenë një seancë e tensionuar. Në momentin që nisi, njëri nga prokurorët, Arben Kraja, duke lexuar një procesverbal, ka artikuluar që ndalimi i zotit Meta është bërë konform procedurave dhe Meta ka reaguar duke përdorur gjuhë fyese dhe intimiduese, duke thënë do ta mësoni se çfarë do t’ju bëj, do të jeni në vëmendjen time, Dum Dumani dhe këto. Ka patur debat të ashpër mes Metës dhe prokurorëve.
Meta ka thënë se arrestimi është bërë në kundërshtim me ligjin.
Ngrihen dyshime që Meta në bashkëpunim me Kryemadhin kanë ushtruar influencën në disa momente. Fillimisht Meta me CEZ-DIA, që DIA të lidhë kontratë me CEZ. Kanë ushtruar ndikimin sa i përket UNIFI me drejtor një shqiptaro-amerikan, ku flitet për fibrat optike, ku është tentuar të nxirrej jashtë loje Bashkim Ulaj.
Pastaj është çështja e lobimit dhe shpenzimet e padeklaruara.
Meta ka kundërshtuar çdo akuzë, pretendon se sulmi është politik.
A ka ndikuar Meta? A ka bërë korrupsion?
Ka një pikë të rëndësishme, që politika ka miratuar ligje nën ndikimin e biznesmenëve. Në këta rast për biznesmenin Samir Mane. Këto kërkojnë analizim”, tha Lala.