Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e ndodhur mesditën e sotme në Shëngjin.
Biznesmeni Ardian Nikulaj ishte ulur në një nga tavolinat e lokalit të tij kur një autor i maskuar si motorist, me jelek fosforshent dhe maskë anti-covid e qëlloi. Nga informacionet e deritanishme bëhet e ditur se autori ka qëlluar në drejtim të Nikulajt 6 herë dhe dy plumba e kanë kapur në kokë dhe trup.
Nikulaj i cili në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 kandidoi si deputet me PSD ishte një emër i njohur në Lezhë jo vetëm si biznesmen por edhe për policinë. Ai ka qenë dy herë i dënuar dhe me sa dukej i trembej një sulmi pasi lëvizte me makinë të blinduar.
Dy autorët e përfshirë në këtë ngjarje e ruanin prej disa kohësh Nikulajn dhe sot kryen atentatin dhe më pas u larguan me një “Range Rover” me targa angleze.
Deri më tani pistat për zbardhjen e vrasjes së Nikulajn janë konfliktet në biznes, e shkuara e tij por edhe gjakmarrja pasi në vitin 2000 vëllai i Nikulajt është ekzekutuar nga pjesëtarë të fisit Balaj. Më vonë dy persona nga fisi Balaj janë vrarë por kjo ngjarje ka mbetur e pazbardhur.