Gabriel Kulla është shkodrani që po “çmend” të gjithë drejtuesit te kuqezinjtë e vegjël. Ky futbollist hyri pak kohë më parë në historinë e futbollit italian si lojtari me moshën më të re që shënon në një ndeshje ku luajnë të rriturit. Vetëm 15-vjeç ishte Kulla kur shënoi golin e fitores për ekipin e tij, Sasa Marconi në Itali.
Por nëse mendoni se ky fakt është tërësisht i parëndësishëm, kthehemi pak te ndeshja sot. Shqipëria U-17 e drejtuar nga Andrea Tedesco ka fituar me shifrat 3-2 ndaj Polonisë U-17. Një tjetër fitore me përmbysje, atje ku Gabriel Kulla tregoi sërish të gjithë klasin e tij. Teksa shifrat ishin 0-1 në favor të miqëve, nga një goditje dënimi, Gabrieli realizoi një predhë të vërtetë që nuk kishte portier i cili mund ta ndalonte.
Nëse mendoni se ky rast ishte thjesht një rastësi, atëherë mund të shikoni golin e fundit që Kulla kishte realizuar me fanellën e Shqipërisë U-17 kundër Ishujve Faroe. Një tjetër gol nga goditja e dënimit, madje në një distancë edhe më të largët. Kjo tregon saktësisht se për çfarë lojtari jemi duke folur. Sulmuesi 16-vjeçar është pjesë e të rinjëve të Sasuolos dhe duket një Armando Broja i ri te Shqipëria. Kjo pasi statistikat e tij janë të ngjashme me atë të Brojës. Në 9 ndeshje të zhvilluara deri tani me Shqipërinë U-17, shkodrani ka realizuar plot 9 gola. Një makineri e frikshme goli.
Por ndaj Polonisë nuk u mbyll aty pasi 16-vjeçari realizoi edhe golin e tij të dytë në këtë takim. Në minutën e 66, Kulla mori një pasim të bukur nga shoku i ekipit. Por golat e lehtë nuk janë për të, Gabrieli zgjodhi që të bënte një lëvizje spektakolare në zonë duke gënjyer kundërshtarin dhe më pas duke gjetur sërish rrjetën. Ky ishte goli i 9 i sulmuesit shkodran me fanellën e kuqezinjëve U-17, ndërsa kalimi i tij tek Shpresat është vetëm çështje koha. Shqipërisë po i vjen një yll i madh në Kombëtare, mbajeni shënim, Gabriel Kulla quhet! /Sport Ekspres/