Porosia për vrasjen e biznesmenit dhe politikanit Ardian Nikulaj dyshohet se ka ardhur nga Britania e Madhe. Hetuesit kanë dyshime se kjo vrasje ka lidhje me gjakmarrjen dhe jo motive politike apo biznesi.
Prezenca e anglezit në lokalin ku ndodhi ngjarja e rëndë dhe largimi i tij me urgjencë nga Shqipëria ngrenë dyshime të forta se ai ka lidhje me ngjarjen dhe ka informuar autorin për lëvizjet e Nikulajt.
Mediat raportojnë se ky shtetas anglez është shok i ngushtë me një nga djemtë e familjes Palaj-Lekstakaj dhe po e vizitonte Shqipërinë për herë të parë. Për shkak të gjakmarrjes mes familjes Palaj-Lekstakaj dhe Nikulajt janë vrarë 5 persona, mes tyre edhe biznesmeni Nikulaj.
Ndërkohë që motori “Skuter” me të cilën u largua autori nga vendi i ngjarjes dyshohet se është fshehur në një banesë midis fshatit Gjadër dhe Kakariq të Lezhës. Për këtë arsye janë ushtruar dhjetëra kontrolle në banesat e kësaj zone.