Historia e panjohur e Luiz Ejllit/ Si u bë viktimë e mashtrimit dhe sekuestrimi i llogarive bankare nga IUTE CREDIT, 3 burrat që e futën në kurth

Date:

- Advertisement -

Luiz Ejlli është kthyer në personin më të famshëm dhe më të njohur për momentin në Shqipëri e diasporë.

Falë hyrjes së tij në Big Brother Vip, Luizi tregoi pjesë nga vetja dhe jeta e tij që tërhoqën vëmendjen e mijëra shqiptarëve, të cilët janë kthyer në “tifozë” të vërtetë të Luizit.

Shumë është folur për jetën e Luizit para lojës, për lidhjen e tij 10-vjeçare me vazjën e Jozëfina Topallit dhe borxhet.
Për këtë Luizi foli vetë në spektaklin e së shtunës në linjën e jetës.

Gazeta Dita ka bërë një investigim në lidhje me borxhet e Luizit, mashtrimin dhe sekuestrimn e llogarive bankare nga IUTE CEDIT dhe përmbaruesi i arrestuar.

Artikulli i plotë

Historia e Luiz Ejllit është historia e mijëra të rinjve dhe të rejave të thjeshtë të këtij vendi, të cilët jetuan në demokracinë që flet shqip.

Me ndryshimin e vetëm dhe të rrallë, që historia e Luizit, pati një “happy-end”. Luiz Ejlli është sot shqiptari më i njohur dhe i komentuar nga të gjithë, brenda dhe jashtë kufijve, përfshirë diasporën dhe Kosovën.

I admiruar nga një shumicë milionëshe që, për pasion me siguri do kalonte edhe përkrahësit më të zjarrtë të të gjitha partive politike të marra së bashku, Ejlli as nuk e imagjinon dot (deri të dielën) se çfarë ndikimi dhe force ka historia e jetës së tij tek miliona të rinj dhe të reja, njerëzit e thjeshtë, populli i zakonshëm.
Jetën prej 37 vitesh ai e tregoi në ngashërim dhe përlotur të shtunën mbrëma, si për të vulosur në zemrën e të gjithëve, thirrjen: Ma ndryshoni fatin o njerëz!

Luiz Ejlli, vjen nga një familje e thjeshtë shkodrane, lindur në një qytet me shumë art, histori dhe vuajtje. Si pinjoll i mijëra familjeve të zakonshme shqiptare, ai u rrit përvuajtur në demokracinë e ’91, ’97 dhe gjithë viteve që solli shekulli 21. U përpoq të ndërtojë një jetë brenda artit, këngës, muzikës. Ia doli disi me fitimin e një konkurrimi – Festivalit të 44-ët në RTSH dhe pjesëmarrjen në një tjetër, Eurovision 2006.

Por arti në Shqipëri nuk të jep “bukë” vec çmimeve. Bëri kompromis me dashurinë të përzier me pushtet, kur u bë “dhëndri i Jozefinës”, politikanes së ashpër të Partisë Demokratike, e cila mbahet mend për shprehjen, por dhe sjelljen “Kapeni për zhelesh dhe nxirreni jashtë”.

Luizi në rrëfimin e tij tregoi se ndarja me të bijën e Jozefinës, përfundoi në një vetmi dhe disfatë të madhe, në një sedilje makine, me 37 mijë lek në xhep, pa shtëpi dhe më pas, pa punë, praktikisht i përzënë prej zhelesh jashtë, nga një jetë 10 vjeçare.
Fatin e sa të rinjve shqiptarë 20, 30 apo 40 vjeçarë ka shenjuar historia e Luiz Ejllit? Të talentuar, të zhgënjyer nga dashuria dhe jeta, të papunë, të nëpërkëmbur dhe të zhvlerësuar nga shoqëria dhe “demokracia”?

Luizi i tregoi rinisë dhe shoqërisë se ishte mbytur në borxhe, ndaj e don’ dëshpërimisht çmimin, për një fillim të ri, jetë të re. Për të krijuar një familje, një strehë të tijën, pa lakun e borxhit dhe pa kompromisin e titullit të vjetër “kollovar”. Natyrisht që rinia po ‘tërbohet’ duke e nxjerrë fitues me mesazhe dhe përkrahje të shfrenuar. Politika e të dyja krahëve po druhet të reshtohet e ta gllabërojë. Po ruan me frikë deri të djelën…se fenomeni “Luiz” mund të jetë një goditje fatale për ta. Ai mund të akuzojë!

Sot, do akuzojmë në emër të tij. I kapur nga dara e “Iute”, Luiz Ejlli është një nga mijëra viktimat e aktivitetit të mikrokredive në Shqipëri. Në borxh 2 milion lekë të vjetra për shkak të një mikrokredie, Luizit i është bllokuar llogaria bankare nga 7 Prilli, duke e lënë pa asnjë lek deri në 24 Dhjetor 2022, kur Big Brother-i i hapi një “llogari” me çek të bardhë…
Burime nga banka Raiffeisen, tregojnë për DITA se llogaritë e sekuestruara si e Luiz Ejllit janë me mijëra, mbushur me emra të rinjsh e të rejash nga të gjitha fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Ata bllokohen për shkak të borxheve të kredive konsumatore që merren lehtë edhe online, vetëm me një kartë identiteti, sidomos tek Iute.

Mikrokreditë e Iutes variojnë në vlera nga 200 mijë – 1 milion lekë të vjetra, me afat 1 deri në 36 muaj, që “luizët” i marrin zakonisht për nevoja emergjente, halle që s`presin por edhe blerje në qendra biznesi, dyqane elektroshtëpiakesh ose telefonash. Vetëm për vitin 2022, janë më shumë se 15 000 llogari individësh të sekuestruara vetëm për interes të Iutes-s, pohon burimi i bankës. Këto mikrokredi aplikohen në dyqane, ose nëpër kioskat e shumta që janë hapur kudo në Shqipëri.
Rastin e tij Luiz Ejlli do ta tregojë vetë me detaje, kur të dalë. Ai do i tregojë popullit të tij se sa para mori tek Iute, çfarë halli kishte, sa pagoi dhe nëse e dinte se do paguante shumëfish në fund.

Nëse e dinte se ndaj tij është zhvilluar një gjyq në Tiranë, në 25 Mars 2021, kur Gjykata nxorri një urdhër ekzekutimi që ai të paguante, sa lekë? Nëse e dinte se “Iute” e shiti kredinë e tij tek një tjetër mikrofinancë me emrin “Final”. Nëse e dinte se “Final” caktoi një kompani tjetër “ADCA” që të mblidhte borxhin ndaj tij dhe, nëse e dinte se një përmbarues ia kishte bllokuar llogaritë për borxhin serial, 208 mijë lek të vjetra!

Luizi i tregoi shqiptarëve që, për shkak të bujarisë së shkodranit Benet Beci, ishte punësuar tek KESH-i por nuk u tregoi nëse i merrte paratë e rrogës nga 7 prilli 2022, dita kur dara e “Iutes” me mashtruesit e tjerë, e kapi prej gryke dhe e mbajti fort, deri ditën kur u fut në Big Brother AlbaniaVip-2.

Me dhjetra të rinj si Luiz Ejlli janë gënjyer, janë mashtruar, janë dhunuar nga mashtrimi i madh me mikrokreditë, janë infektuar rëndë nga ky virus. Virus më i madh se ai i Pandemisë, që konkurron për vuajtje e pasoja, mashtrimin e tmerrshëm të firmave piramidale në vitet 1994-1997.

Në tre vitet e fundit, dhjetra kioskat dhe aplikimet online të mikrokredive “Iute” janë mbushur plot me të rinj shqiptarë, familjarë të varfër të qyteteve dhe fshatrave, të pamundurit, të dëshpëruarit e zhytur në borxhe të mëparshme, për të blerë kush një lavatriçe, kush një ‘telefon’, dikush aplikon për ilaçe ose dhurata.

Shumë prej tyre për të likujduar muajin e mëparshëm në borxh ushqimor. Të gjithë bashkë të futur në çarkun e madh të fajde-mikrokredive, çark i krijuar dhe lejuar të funksionojë si pjesë e sistemit financiar shqiptar, nën hundën e autoriteteve tona. Me lejen e tyre?!

Çdo ditë reklamat e bukura me shkëlqim shumë inkurajojnë marrje mikrokredish. Ato ftojnë nëpër media për t’u futur në kurthin e ëmbël, në borxhin fajde, që më pas prodhon histori të dhimshme, të trishta, shpesh tragjike, sidomos për të rinjtë që jo të gjithë do jenë “fitues” të një Big Brotheri, si Luiz Ejlli.
“Iutecredit Albania” dhe kioskat simotra u japin para për “7 minuta”, vetëm me një kartë identiteti nevojtarëve, sidomos të rinjve e të rejave të pamësuar ende me “hilet” e jetës, pa u dhënë atyre asnjë informacion të kuptueshëm për koston e këtyre kredive, për riskun, interesat e vërteta e ato të fshehura, duke i mashtruar pikërisht në injorancën që ka secili prej nesh, rreth njohurive financiare.

Me dhjetëra histori emigrimi lidhen pikërisht me pamundësinë e shlyerjes së këtyre mikrokredive në Shqipëri. Dhjetra të rinj futen në histori pa kthim, që përfundojnë në demoralizim për të ardhmen e tyre, në urrejtje për vendin ku kanë lindur, deri në mendime urrejtëse për familjen apo sjellje ekstreme vetëvrasëse.
——
Media ka shkruar e bërtitur shumë në letër, online dhe emisione në eter, për mashtruesit që shesin e blejnë mikrokredi për një kohë të gjatë. Kujtojmë vitet e fundit kur investigimet mediatike ekspozuan skemën e mashtrimit të mikrokredive krijuar nga MCA – ADCA, ZIG dhe STAR.

“Iutecredit Albania” dhe “Final”, pikërisht në kulmin e këtyre denoncimeve publike dhe hetimeve “intensive” ngritën perandorinë e tyre duke ngritur flamurin pirat të fajdeve dhe mashtrimit.
IuteCredit me seli në Talin të Estonisë së largët, shtet me 1.2 milionë banorë, erdhi dhe krijoi në 2016 në Shqipëri IuteCredit Albania, duke caktuar si drejtor dhe mëkëmbës të interesave shumëmilionëshe, shqiptarin me emër afrikan Akan Ajdin.
Estonezët Tarmo Sild dhe Allar Niinepuu erdhën në Shqipëri, ashtu si në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë. Ata u shtrinë në Maqedoni dhe Moldavi gjithashtu, pasi vendet balltike si Letonia dhe Lituania, estonezët e Iute-s i përzunë me ceremoni. Të njëjtën gjë bëri Banka Qendrore e Kosovës në 2019, kur e mbylli Iutecredit Kosova, pasi e quajti kërcënim ndaj sigurisë kombëtare të vendit dhe hodhi dyshime mbi lidhjet e sipërmarrësve letonezë me njerëz të përfshirë në aktivitete të pastrimit të parave.

Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar i dha të drejtë Bankës Qendrore të Kosovës në vitin 2022, kur Grupi Iutecredit-Europe e hodhi në gjyq Kosovën.

Banka Shtetërore e Bosnjës ka vedosur një sërë sanksionesh dhe kufijsh përgjatë vitit 2022 për Iutecredit Bosnja, duke përgatitur aktet ligjore për mbylljen e saj në këtë shtet ashtu, si në Kosovë.
Po Shqipëria çfarë bën? Po Banka e Shqipërisë? Po autoritetet ligjzbatuese? Përse heshtin? Ku është Drejtësia e re? Ku janë Prokurorët e “tmerrshëm” të SPAK?
“Iutecredit” në Kosovë u ndalua publikisht të japë kredi dhe u dëbua me ceremoni nga autoriteti i Bankës Qendrore të Kosovës. E njëjta “lutecredit”, me të njëjtin grup estonezësh vazhdon qetë dhe pa asnjë shqetësim në Shqipëri.

Guvernatori i Bankës së Kosovës i tha para tre viteve opinionit të vet publik, se po mbyllej një kompani mikrokrediti (Iutecredit) që kishte aplikuar norma tepër të larta interesi të kredisë dhe jashtë çdo standardi të lejuar për popullin e thjeshtë.

Po në Shqipëri? Duhet të dalë e të flasë “Luiz Ejlli” për këtë skandal të përmasave popullore?
“Afrikani” i Iutes në Shqipëri, Akan Ajdin, zgërdhihej me deputetët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat në 14 qershor 2022, kur ata e thirrën për ta “qortuar” lidhur me Iuten dhe aktivitetin e saj. Ai u tha atyre: “Iute jep 12 000 kredi çdo muaj. Pse vijnë njerëzit tek ne? Sepse për një pjesë të mirë të këtyre, dyert e bankave janë mbyllur, ose e kanë malore!”
Akan-i ekspozoi një të vërtetë të hidhur që, sistemi serioz bankar në Shqipëri ka përfunduar misionin duke i lënë stafetën mashtruesve të mikrokredive. Akan-i nuk i tregoi deputetëve (dhe ata nuk e pyetën) të vërtetën se si Iute jep kreditë, dhe më pas i shet ato tek Final dhe Microcredit Albania, brenda një qarku të mbyllur dhe skeme mafioze, ku një frigorifer, celular, orë, ose lap- top që merret me kredi tek Iute, kthehet në një makth e rrënim ekonomik tek Final apo MCA, kur u troket në derë gjoba ADCA.
Akan Ajdin nuk i tregoi deputetëve (dhe ata nuk e pyetën), të vërtetën se sa nga 12 000 kreditë në muaj kthehen nga shqiptarët dhe sa përfundojnë në gjykatë. Sa shiten. Sa shumëfishohen dhe si kërkohen më pas. Sa e thellë është gropa që ka krijuar Iutecredit dhe simotrat e saj në jetët e shqiptarëve.
Akan Ajdin nuk i tregoi deputetëve se pas Final-it, që blen borxhet e Iutes, është pronari i kësaj shoqërie mikrofinanciare, mashtruesi famëkeq, Arben Meskuti. I denoncuar nga të gjitha mediat, autoritetet tatimore dhe Ministria e Drejtësisë, Meskuti vazhdon bisnesin me Ajdinin, paçka se ka marrë në qafë mijëra familje shqiptare, me permbarimin Zig dhe sot me mikrokredinë Final.

Viktima e fundit është beniamini i miliona shqiptarëve. Le të jetë Luiz Ejlli, ai që do thotë të vërtetën e tij kur të dalë, për të gjithë…
Le të jetë ai që do hapë siparin e do tregojë mbi këtë mashtrim të madh që ka gjunjëzuar rininë shqiptare. Ai nuk ka më nevojë për të likujduar 2 milionet e Iutes apo Finalit, se para do ketë boll, por vetëm të tregojë të vërtetën e tij!

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related

Nelson Hysa mposht me “KO” në raundin e dytë kundërshtarin argjentinas

Në aktivitetin e madh të boksit në Angli ku...

“Nuk duam hakmarrje”, flasin mes lotësh prindërit e Martinit

Vrasja tragjike e Martinit 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar ka...