Nga Klaudio Ndreca
Myrto Uzuni ishte lojtari shqiptar më i spikatur i këtij sezoni në Europë. Sulmuesi arriti të shënonte 23 gola me Granadan duke qenë heroi i spanjollëve pasi e riktheu ekipin në La Liga. Shumë dyshime ka pasur për këtë lojtar dhe për të shkuarën e tij, për shkak të ekipeve ku ka luajtur, por në fund i heshti të gjithë për t’i treguar se mund t’i përballojë nivelet më të larta.
Nga ana tjetër, Paco Lopez, trajneri i Granadas, fërkon duart. Falë golave të realizuara nga Uzuni ishte Granada që u ngjit në elitën e futbollit spanjoll dhe për më tepër u shpall kampion në këtë sezon. “Sport Ekspres” ka mundur që të marrë një prononcim nga Lopez rreth Myrtos. I njëjti trajner ka punuar më herët edhe me Armando Sadikun në kohën e artë te Levante, megjithëse lojtari i Shqipërisë u dëmtua dhe do të humbiste aty shansin e madh të karrierës. Sipas Lopez, të dy këta futbollistë kanë të njëjtin përkushtim dhe mënyrë pune.
“Myrto Uzuni është një njeri fantastik. Ka vlera shumë të mira dhe unë e kam shumë kënaqësi që punoj me të. Në fakt, kam punuar më parë edhe me një tjetër lojtar shqiptar, me Armando Sadikun, në kohën kur isha trajner te Levante. Nga eksperienca ime e mëparshme me të, edhe me Sadikun kam pasur një eksperiencë shumë pozitive. Unë mendoj se Sadiku është i ngjashëm me Myrto Uzunin nëse flasim për punën e madhe dhe bashkëpunimin që ka me shokët e ekipit
Sigurisht që Myrto ka shumë ambicie për sukses, kjo është arsyeja kryesore se pse ka arritur të shënojë 23 gola dhe se pse e ka ndihmuar ekipin kaq shumë në këtë sezon. Kam vënë re se Uzuni e dashuron vendin e tij dhe e dashuron momentin kur luan me Kombëtaren e Shqipërisë. Në fund dua që t’i shpreh falënderimet e mia tifozëve shqiptarë të Granadas, e dimë që jeni shumë që na keni ndjekur dhe e vlerësojmë si klub këtë mbështetje tuajën”, tha Lopez. /Sport Ekspres/