Gjyqtari Antoni Tejlor është kthyer në armikun e romanistëve pas finales që skuadra e Romës humbi përballë Seviljes në Ligën e Kampioneve. Sikur të mos mjaftonte shpërthimi i Murinjos dhe akuzat e tij ndaj britanikut të kontestuar për shumë vendime, duke e pritur edhe në parkingun e stadiumit në Budapest, edhe tifozët e Romës kanë bërë të tyren kundër gjyqtarit.
Ata e kanë pikasur në aeroportin e Budapestit dhe ndonëse ai shoqërohet nga forcat e rendit, e kanë rrethuar dhe i janë vërsulur me sharje dhe kore ndaj tij.
Gjyqtari u largua me vështirësi mes turmës, i frikësuar pasi situata po përshkallëzohej në mënyrë të menjëhershme, duke tmerruar edhe familjarët e tij që ishin aty. Policia ia doli që t’i fuste në një dhomë për punonjësit e aeroportit derisa u qetësua situata, pasi një prej tifozëve të Romës nuk ngurroi edhe të gjuante me karrige në drejtim të tyre.
Mediat italiane bëjnë të ditur se Tejlor ka mbetur i mbyllur aty brenda për rreth një orë derisa u shoqërua drejt avionit me të cilin do të kthehej në shtëpi.