Granit Xhaka vetëm para pak ditësh i dha lamtumirën Arsenalit pas shtatë vitesh në Londër, plot dinamikë e histori. Mesfushori është në negociata të avancuara me Bayer Leverkusen, teksa Arsenali kërkon 15 milionë euro në këmbim.
Gjithsesi, duket se në skenë kanë hyrë gjigantët e Bayern Munchen dhe kjo e bën situatën tejet të paqartë. Trajneri i bavarezëve, Thomas Tuchel, e pëlqen shumë profilin e shqiptarit dhe kërkon ta afrojë, për t’i dhënë më shumë grintë, lidership dhe forcë skuadrës bavareze.
Me hyrjen e Bayernit në skenë, me siguri edhe Xhaka ka nisur të mendohet thellë, ndërkohë që Bayer Leverkusen sheh t’i dridhen themelet e këtij operacioni të nisur prej muajsh. Sezoni i fundit ishte më i miri me Arsenalin për kapitenin e Zvicrës.
Xhaka shënoi shtatë gola dhe dhuroi po aq asiste në një sezon, ku Arsenali u rendit në vendin e dytë në Premier League dhe pa t’i ikte titulli nga duart në ndeshjet e fundit. Gjermania për Xhakën nuk është aspak e panjohur, pasi ai ka luajtur për disa vite me Gladbach, para se të zbarkonte në Londër.