Skuadrat italiane po bien një e nga një në Europë. Pas Romës, që humbi finalen e Ligës së Europës, sot ishte Fiorentina që humbi shansin të ngrinte trofeun e Ligës së Konferencës. Uest Hemi i ka marrë vjollcëve fitoren me një gol në minutën e 90, kur Bouen me një kundërsulm i dërgon shifrat në 1-2.
Goli i parë i takimit u shënua nga Benrahma në minutën e 62-të me anë të një 11 metërshi, ndërsa Fiorentina barazoi 5 minuta më vonë me anë të Bonaventurës. Por kur dukej se ndeshja do të përfundonte në shtesa, Bouen ndëshkoi italianët dhe i dha kështu Uest Hemit kupën e Ligës së Konferencës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/