Autoritetet islandeze duket se nuk kanë një opinion të mirë për shqiptarët dhe përpiqen t’i kthejnë me çdo kusht në Shqipëri, pavarësisht se ata punojnë dhe paguajnë taksa si gjithë të tjerët në këtë vend.
Mediat islandeze së fundmi kanë shkruar për një 25-vjeçar shqiptar i quajtur Elio Hasani, i cili bashkë me hallën e tij vetëm 15-vjeçare, është mbajtur për 30 orë i izoluar në aeroport. Ndërkohë, me të parë lajmin në mediat islandeze, një shqiptar po në Islandë ka reaguar për “JOQ Albania” në lidhje me trajtimin që i bëhet shqiptarëve në këtë vend.
“Përshëndetje! Kjo është Islanda, që tallet me çdo shqiptar që vjen këtu, duke ndalur çdo shtetas shqiptar. Në të njëjtën mënyrë si rasti në fjalë kthyen edhe kushëririn tim, që kishte çdo dokument në rregull, madje edhe biletën e kthimit, pasi do të qëndronte vetëm një javë.
Kishte adresë shtëpie, pasi vëllai i tij jeton këtu i rregullt dhe me para në xhep, që është gjithashtu një kusht i tyre. Në fund e kthyen mbrapsht. Ky është kulmi dhe nuk dimë ku të ankohemi”, shkruan qytetari në redaksinë tonë.
SHKRIMI I VISIR: Një shqiptari dhe hallës së tij të mitur i është dashur të jetojnë në aeroportin e Leifsto për më shumë se tridhjetë orë. Policia e kërcënon Elio Hasanin se do ta dëbojë, por avokati i 25-vjeçarit thotë se nuk kanë autoritet për ta bërë këtë. Aplikimi për leje qëndrimi është ende në proces e sipër.
“Halla ime është shumë e ftohtë dhe po kollitet”, thotë Elio, i cili është mbajtur i izoluar për më shumë se tridhjetë orë së bashku me hallën e tij 15-vjeçare. Policia i ndaloi ata të dy në aeroport dhe i refuzoi hyrjen në vend. Nëse sonte (mbrëmë) nuk largohet nga vendi, Elio do të dëbohet.
“Nuk kam parë më parë këtë lloj trajtimi në rastet e individëve në një situatë të ngjashme, e lëre më trajtimin e qeverisë ndaj një fëmije të pafajshëm”, shprehet për mediat islandeze Claudia Ashanie Wilson, avokatja e Elios.
Policia i thotë se është penguar të dalë në breg pasi nuk ka leje për të qëndruar. Megjithatë, Elio nuk ka marrë një vendim të tillë nga Zyra e Emigracionit për shkak të kërkesës së tij ekzistuese për rinovim.
Mediat islandeze raportojnë se policia e ka penguar Elion të hyjë në Islandë për shkak se nuk ka një leje qëndrimi aktive, por 25-vjeçarit nuk i është urdhëruar diçka e tillë nga Zyra e Emigracionit, për shkak se ai tashmë ka bërë një kërkesë zyrtare për rinovim të lejes së qëndrimit.
“Ai nuk e ka parë këtë vendim dhe nuk më është dorëzuar as mua, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, si në Shërbimin e Emigracionit, ashtu edhe në Polici. Për rrjedhojë, ai nuk ka pasur mundësi ta padisë policinë dhe të kërkojë pezullimin e efekteve juridike. Nëse vendimi është marrë, duhet të komunikohet”, thotë avokatja.
Ndërkohë, prindërit e të riut po e presin në shtëpi. Elio u zhvendos në Islandë në moshën 18 vjeç. Ai ishte i martuar, por tani është duke u divorcuar dhe ka një vajzë 3 vjeç. Prindërit e tij kanë ardhur për vizitë nga Shqipëria dhe po qëndrojnë të vetëm në banesën e tij.
Avokatja e shqiptarit, Claudia Wilson Molloy, thotë se policia nuk ka autoritetin për ta dëbuar atë. “Zbatimi aktual në Shërbimin e Imigracionit është që personat që janë të divorcuar dhe kanë një leje qëndrimi të vlefshme, vazhdojnë të gëzojnë autorizimin për të qëndruar, deri në skadimin e lejes së qëndrimit dhe më pas ata duhet të aplikojnë në një bazë të re për shkak të ndryshimit të rrethanave.
Sipas informacioneve të klientit tim, policia e ka njoftuar se duhet të largohet sonte nga vendi, në të kundërt do ta deportojnë dhe do ta ndalojnë kthimin për dy vjet. Është një autoritet, që nuk e kanë sipas ligjit të emigracionit”, ajo tha. Mbrëmë
Elio dhe halla e tij e kaluan natën në një qeli të ftohtë, por tani ata mund të shkojnë në një vend më të përshtatshëm në brendësi të aeroportit. Megjithatë, ata nuk mund të largohen nga aeroporti përveç rastit nëse marrin një avion për tu kthyer në Shqipëri.
Kjo nuk është tronditja e parë që Elio ka pësuar në Islandë. Në dhjetor 2017, ai pësoi një sulm të rëndë me thikë në Austurvelli, kur një burrë i quajtur Dagur Hoe Sigurjonsson goditi për vdekje shokun e Elios, Klevis Sula, si dhe la të plagosur 25-vjeçarin.
Elio u godit me thikë disa herë dhe rasti u trajtua si tentativë për vrasje. Ai mori plagë shpuese në pjesën e sipërme të shpinës, shpatullën e majtë, krahun e sipërm dhe pulpin e majtë. Elio shprehet se ende nuk është rikuperuar plotësisht nga ky sulm. “Unë nuk kam marrë asnjë ndihmë në të vërtetë. Në fillim shumë pak, por më pas u deportova për dy vjet”, thotë ai dhe shton se nuk e kupton pse po trajtohet kështu.
Elio është një taksapagues i rregullt në Holanda, teksa ka arritur të krijojë kompaninë e tij të vogël, që quhet “Elio EHF”, e cila merret me shtrimin e parketeve dhe jo vetëm. “Thonë se duhet të largohem nga vendi sonte ose do të më dëbojnë”, përfundon ai ai.