Shqipëria po zvogëlohet dita-ditës për shkak të emigracionit dhe numrit të ulët të lindjeve. Raportet e fundit tregojnë për një rënie të frikshme të numrit të personave në moshë pune, që konsiston me 15 deri në 64 vjeç. Në këtë vit popullsia e Shqipërisë u ul me 1.1%, teksa në vend kishte 1.8% më pak njerëz në moshë pune.
Për të folur më shkoqur dhe saktë, që nga viti 2019 Shqipëria ka 101 persona në moshë për të punuar më pak. Aktualisht popullsia në moshë pune është 1,864,062 persona nga 1,974,207 në vitin 2019, ose 101 mijë më pak. Siç pritej, rënien më të frikshme e ka mosha 20-24 vjeç, që nuk e gjejnë veten në tregun tonë të punës dhe marrin rrugët e botës.
Kjo grupmoshe është ulur me plot 17% që nga viti 2019. Rënie të madhe ka pësuar popullsia në moshën 15-19 vjeç, kur në vitin 2023 numërohen 35 mijë persona më pak. Popullsia në moshë pune ka pësuar rënie për të gjitha grupmoshat deri në 59 vjeç, përveç 35-39 vjeç ku kishte rritje me 7.1% në krahasim me 1 janar 2022.
Gjithsesi, ky nuk është fundi i rënies, pasi edhe në muajt dhe vitet në vijim Shqipërinë e presin ditë të errëta në këtë aspekt. Projeksionet e popullsisë tregojnë se popullsia në moshë pune do të bjerë me ritme më të shpejta se sa popullsia e përgjithshme në pothuajse të gjitha qarqet. Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031).
Përtej uljes së numrit të personave në moshë pune, në Shqipëri po rritet vazhdimisht numri i pensionistëve dhe kjo vë në rrezik serioz edhe skemën e pensioneve. Rënia më e fortë në forcën e mundshme të krahut të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%)./Joq