Arjana dhe Arben Gllafce u gjetën të pajetë të dielën në shtëpinë e tyre në Fort Wayne, Huntertown të SHBA. Sipas autoriteteve amerikane, Arjana 48-vjeçe u qëllua disa herë me armë zjarri nga bashkëshorti i saj 49-vjeçar, Arben Gllafce. Ky i fundit e drejtoi më pas armën nga vetja duke mbetur po ashtu i vdekur. Krimi në familje u konfirmua këtë të mërkurë nga autoritetet në SHBA, siç raportojnë mediat amerikane.
Çifti Gllafce ishin prindër të 2 djemve, njëri 23 vjeç, ndërsa tjetri 10. Të afërm të familjes Gllafce kanë hapur një llogari në Gofundme për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve tashmë jetimë, si dhe për të sjellë familjarë të tyre në SHBA për t’u kujdesur për djemtë.
Ndërkohë, në rrjetet sociale, miq e të afërm të Arjanës shprehin dhimbjen e madhe për humbjen e njeriut të tyre të dashur.
“E bukura, e shtrenjta motra ime. Qofsh e parajsës. Do më marrë malli tmerrësisht”, shkruan motra binjake e Arjanës, teksa poston një foto të saj.