Numri i shqiptarëve jashtë vendit vazhdon të rritet dita-ditës me ritme të shpejta, një fenomen që ka nisur tashmë prej më shumë se tre dekadash. Teksa popullsia brenda territorit tonë po ulet me shpejtësi, jashtë vendit shqiptarët po shtohen me ritme të shpejta.
Një studim i Organizatës Ndërkombëtarë për Emigracionin, pjesë e Kombeve të Bashkuara, raportoi se nga viti 2015 në vitin 2020 mbi 101 mijë fëmijë nga prindër shqiptare kanë lindur jashtë vendit. Ky numër është sa 56% të lindjeve brenda vendit në të njëjtën periudhë dhe sa 36% e totalit të lindjeve.
Nga viti 2015 deri në 2020 lindën 282,668 foshnja nga prindër shqiptarë nga të cilët mbi 180 mijë ishin brenda vendit dhe mbi 101 mijë jashtë vendit. Italia dhe Greqia janë vendet ku kanë lindur më së shumti fëmijë shqiptare, me Italinë, që është vendi, që ka pritur më shumë emigrantë shqiptare, plot 478 mijë deri në vitin 2020.
Kjo shifër përfaqëson 45.9% të të gjithë emigrantëve shqiptarë të regjistruar jashtë vendit. Ndërkohë, edhe në Amerikë po rritet me shpejtësi, pasi vetëm në vitin 2020 popullsia u rrit me 93.5 mijë. Kjo e bën SHBA-në vendin e tretë më të preferuar të destinacionit për emigrantët shqiptarë në vitin 2020.
Emigrantët shqiptarë në Itali, Greqi dhe SHBA përbëjnë mbi 80 për qind të të gjithë personave që kanë lindur në Shqipëri, por që jetojnë jashtë. Vende të tjera destinacioni për emigrantët shqiptarë janë Gjermania (60 mijë), Mbretëria e Bashkuar(41 mijë) dhe Franca.
Në vitin 2020, sipas INSTAT-it afërsisht 1.68 milionë shqiptarë jetonin jashtë shtetit. Ndërkohë, konkluzioni kryesor i anketës ishte se në të gjitha familjet shqiptare të identifikuara në Censin e vitit 2011, 22.1 për qind kishin së paku një familjar jashtë shtetit. Këtu përfshiheshin gjithsej 165,946 familje. AKMF doli në konstatimin se në vitin 2019, afro 6.6% e familjeve të vlerësuara gjatë Censit të vitit 2011 jetonin jashtë shtetit.