Gjykata e Tiranës ka dënuar me 15 vite burg, Alban Menerin i cili më 30 korrik të vitit të kaluar vrau fqinjin e tij Nikolin Staka.
Ish-montazhieri i RTSH-së vrau fqinjin e tij pasi e goditi me grushte për një vend parkimi në një lagje të Tiranës. Në fillim ai deklaroi se kishte qenë në gjendje të dehur gjatë konlfiktit me fqinjin, por hetimet zbuluan të kundërtën.
Rikujtojmë se ngjarja ka ndodhur pasditen e 30 Korrikut në rrugën “Sulejman Pitarka” në kryeqytet, ku autori fillimisht po debatonte me një parukiere për një vend parkimi, të cilin pretendonte se e kishte pronë të tij. Por nga ballkoni i banesës përballë, ka ndërhyrë Nikolin Staka i cili i ka thënë:
‘Çfarë bën, nuk të vjen zor që zihesh me gra’, ndërsa Meneri iu kundërpërgjigj: ‘Zbrit poshtë se ta tregoj unë’
Sapo Staka ka zbritur poshtë, Meneri e ka sulmuar me grushte në fytyrë dhe pjesë të ndryshme të trupit. 56-vjeçari Nikolin Staka ka humbur jetën pak orë më vonë për shkak të hemorragjisë së brendshme.