Nëse kërkon në internet për CV-në e Rrahman Rrajës, deputetit socialist të Krujës, emri i të cilit po lakohet sot në media dhe publik për një ngjarje ku ai vetë nuk është i lidhur drejtpërdrejt, aty të shfaqet një variant me një faqe të vetme.
VIDEO nga ngjarja e shemtuar ne Fushe-Kruje
Jetëshkrimi i deputetit tregon që nga viti 2000 e deri më sot ai ka qenë në një formë, apo në një tjetër në pushtet në Krujë. E ka nisur si kryetar këshilli i komunës së Niklës në vitin 2000 dhe tre vjet më vonë u zgjodh kryetar i vetë komunës. Këtë post e mbajti deri në vitin 2015 dhe dy vite më vonë u katapultua deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Megjithatë, në 23 vite në pushtet Rrahman Rraja nuk mbahet mend as për fjalimet në Kuvend, as për investimet që ka kryer në Nikël. Ai do të mbahet mend për bëmat e vëllezërve, djemve e nipërve të tij.
Bëmat nuk janë pak, ato nisin nga akuzat për gjobëvënie, dhunën në rastin e Xhisielës, vrasjet me pagesë, e deri te rasti i fundit i dhunimit barbar me shkopinj bejsbolli e qytë pistolete ndaj dy vëllezërve Jashar e Bilbil Maja në mes të ditës.
Kjo është lista e krimeve të fisit Rraja. Gjeografia e tyre shtrihet nga Nikla deri në Durrës e Tiranë, por origjinën e kanë që të gjithë te pushteti i Rrahman Rrajës, që zonën e ka shndërruar në një çiflig të fisit të vet, ku çdokush që kërkon të drejtën, si në rastin e vëllezërve Maja e pëson keq.
Të lakuar në gjithë këto bëma janë emrat e thuajse gjithë meshkujve të fisit Rraja, nga djali i deputetit socialist, Ramazan Rraja, deri te vëllai i tij Xhelal Rraja, por në ngjarjen më të bujshme është përfshirë Redjan Rraja, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në Durrës, ku mbeti i vrarë shoferi i këtij të fundit.
Gjobëvëniet ndaj bizneseve janë aktiviteti i parë kriminal i Rrajave në zonën e Fushë-Krujës. Ndonëse e kanë bërë këtë për një kohë relativisht të gjatë dhe për banorët e zonës është një sekret publik, përballë autoriteteve hynte në fuqi kodi i heshtjes.
Sa më shumë kalonte Rrahman Rraja në pushtet, aq më shumë fuqizoheshin të afërmit e tij, që diversifikuan bizneset, ku veç dyshimeve për përfshirje në trafikun e drogës, i hynë edhe atij të guroreve në Borizanë. Për vite me radhë dyshohet se këtë aktivitet e kanë ushtruar pa asnjë licencë dhe një pjesë të të ardhurat e majme të siguruara i përdornin për t’u mbyllur gojën banorëve të zonës që helmonin me aktivitetin e tyre, por edhe autoritetet.
Tek ata që blerja me para nuk funksiononte, si në rastin e vëllezërve Maja, rekrutohej fisi për t’i bindur me shantazh, kanosje e dhunë.
Në të gjitha këto krime, vetë Rrahman Rraja përfshirjen më të madhe e ka në rastin e Xhisiela Malokut, kur një ish-oficer policie denoncoi djalin e tij, Ramazan Rraja se e ka kanosur në zyrë bashkë me Redjan Rrajës.
Ish-oficeri Emiljano Nuhu denoncoi në policinë e Tiranës se Redjan dhe Ramazan Rraja i kanë thënë në tekstualisht: “Ne e shkrijmë të gjithë komisariatin dhe ty s’të kemi asgjë. Do të të zhdukim ty bashkë me familjen, po thirre më njeri nga fisi jonë ta marrësh në pyetje. Do të zhdukim ty bashkë më familjen tënde për 24 orë nëse vazhdon merresh me ne dhe mos të të shohim më në Fushë Krujë. Ligjin në Fushë Krujë e bëjmë ne dhe jo ti”.
Dhe Rrajat kishin të drejtë! Ligjin në Fushë Krujë e bënin ata. Emiljano Nuhu la detyrën dhe familjarisht u largua nga vendi duke fituar azil në një vend europian, ndërsa Rrajat vijuan të bënin ligjin edhe falë Rrahman Rrajës, që edhe pas gjithë këtyre bëmave u rizgjodh deputet në zgjedhjet e prillit 2021.
©Copyright Vox News