Eklent Kaçi, kampioni shqiptar i bilardos është përfshirë në një aksident të rëndë, ku ka pësuar një frakturë të konsiderueshme në krah. Lajmin e ka bërë me dije të bilardisti, i cili tregon se është aksidentuar duke bërë “off road” në male.
Ai tregon se ka bërë një operacion që ka zgjatur 4 orë, teksa do të duhet të operohet sërish. Kaçi vetëm para pak muajsh arriti të shpallej kampion bote, teksa prej disa vitesh renditet mes bilardistëve më të mirë të botës, duke konkurruar yje të këtij sporti.
“Aksident me makinë duke bërë ‘off road’ në male. Kam kaluar një ndërhyrje që zgjati 4 orë duke fiksuar kockat dhe lidhur tendonin. I kanë shtuar edhe shufra hekuri. Më duhet të kryej edhe një tjetër ndërhyrje kirurgjikale dhe doktorët thanë se krahu do të jetë në rregull.
Nuk do të jem në gjendje që të luaj bilardo për rreth dy muaj, uroj të kem krahun përsëri në rregull dhe në gjendje të mirë. Faleminderit Zotit që nuk shkoi më keq”, shkruante Kaçi në postimin e tij në Instagram.