Aktori Genc Fuga ka pësuar një goditje në tru së fundmi dhe po lufton me jetën, pas një ndërhyrjeje të komplikuar kirurgjikale në një spital privat. Ky operacion kushton 19 mijë euro dhe nuk mund të bëhej në QSUT, që nuk e kishte aftësinë për të kryer këtë ndërhyrje.
Kjo çështje është bërë indicie për të ndezur alarmin mbi gjendjen e sistemit tonë shëndetësor dhe asaj çfarë duhet bërë më patjetër në këtë sektor. Ekspertë e të afërm të artistit kanë ngritur alarmin e madh për reformimin e sistemit shëndetësor.
Të njëjtën gjë e apelon edhe mjeku i njohur, Erion Dasho, i cili në një postim në “Facebook” bën thirrje për ndryshime urgjente, që i duhen bërë medoemos sistemit shëndetësor. Ai shprehet se përveçse Shqipërisë po i largohet mjekët jashtë vendit, edhe ata që qëndrojnë këtu, lënë shtetin për të punuar në privat.
“Duhet ndryshim! Sa më parë! Shumë shpesh shkruaj e flas për nevojën e reformimit të sistemit shëndetësor, për reformën në sistemin e financimit dhe pagesave (të cilin personalisht e shoh të lidhur me sigurimet shëndetësore sociale), etj., dhe jo rrallë marr komente se kjo gjë u duket shumë teorike lexuesve dhe dëgjuesve.
Sot, një ndër aktorët dhe regjisorët e njohur shqiptarë është duke u trajtuar në një strukturë shëndetësore private për një urgjencë shëndetësore dhe familjarët kërkojë ndihmë nëpërmjet mbledhjes së fondeve për të përballuar faturën e operacionit.
Ky rast hap një numër të pafund problemesh, ku unë do të veçoja: Së pari, është turp për një shtet europian që një ndërhyrje kirurgjikale e urgjencës realizohet në një spital privat dhe jo në QSUT. Mjafton ky rast që QSUT, dikur e drejtuar edhe nga klarinetistë, të humbasë statusin e një qendre terciare.
Së dyti, është skandal që pagesa për shërbimet jetëshpëtuese të ofruara nga strukturat shëndetësore private nuk mbulohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Ka më shumë se dhjetë vjet që ka nisur blerja e shërbimeve private nga Fondi, por lista e shërbimeve që blihen ka mbetur e limituar dhe klienteliste.
Së treti, shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se mjekët janë duke u larguar jo vetëm jashtë vendit, por edhe brenda Shqipërisë janë duke braktisur sektorin publik. Fakti që një ndërhyrje neurokirurgjikale bëhet vetëm në një spital privat, flet shumë.
Duke i uruar aktorit shërim të shpejtë dhe të plotë dhe duke qenë i bindur se statura e tij do të bëjë të mblidhen jo 19 mijë eurot e nevojshme për të paguar ndërhyrjen kirurgjikale, por shumë më tepër se kaq, nuk mund të mos mendoj qytetarët e thjeshtë që ose duhet të shesin shtëpi e katandi për të përballuar fatura të tilla, ose duhet të vdesin. Kjo situatë nuk mund të zgjasë më! Duhet ndryshim”, shkruan Erion Dasho.
Pas goditjes në tru dhe nevojës për ndërhyrje urgjente, familjes së aktorit Genc Fuga iu desh të kërkonte ndihmë për të mbledhur shumën e 19 mijë eurove që ndërhyrja të kryhej, në pamundësi për ta siguruar vetë. Fatmirësisht shuma është grumbulluar nga të afërm e dashamirës të artistit.