Gjatë stërvitjeve që Partizani po zhvillonte me Zekic para ndeshjeve në Europë, ishte vetëm një lojtar që bëri përshtypje te drejtuesit e të kuqve. Nuk ishte Albers Keko dhe as Eros Grezda, por Gjergji Kote.
Futbollisti 18-vjeçar mori përgëzime nga të gjithë, ndërsa dy miqësoret e para nuk patën transmetim pasi Partizani kërkoi të mbetet sekret para Bate Borisov. Për këtë arsye tifozët e panë për herë të parë Gjergji Koten në veprim kundër Romës.
Pavarësisht se ky kundërshtar nuk luajti në maksimumin e tij, veprimet e Kotes me topin të bënin të kuptosh menjëherë se me çfarë lojtari kemi të bëjmë. Një e ardhme e madhe duket se e pret 18-vjeçarin, ndërsa Partizani është gati që të nxjerrë xhevahirin e ri. /Sport Ekspres/