Paraditja e 20 gushtit 2022, e gjeti anglezen 29-vjeçare Rebecca Gannon, bashkë me të dashurin dhe 10 persona të tjerë duke vendosur pajisjet e oksigjenit për t’u bërë gati për t’u zhytur në gjirin e Sarandës.
Të shoqëruar nga dy instruktorë zhytje, të gjithë e përfunduan zhytjen duke dalë në sipërfaqe të detit.
Rebecca jo. Ajo humbi jetën.
Policia mbërriti pas pak minutash. Zbuloi se Rebecca kishte paguar për zhytjen një agjenci turistike e cila ofron zhytje çlodhëse, dhe ishte e licencuar nga Ministria e Turizmit.
Në referimin e oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorisë thuhet:
“Përkthyesja e agjencisë ka shpjeguar mbi vendin e zhytjes dhe ka bërë gati pajisjet që do të merrnin zhytësit. Në momentin që po montonte pajisjen, nuk funksiononte rregullatori për fryrjen e jelekut dhe punonjësja, ndryshoi rregullatorin, e provoi dy herë derisa funksionoi në rregull. Disa minuta pasi u zhyt grupi, pa një prej zhytëseve që kërkonte ndihmë. Ai është nisur menjëherë për të ajo, e cila ndodhej rreth 30 metra larg, por kur ka arritur ka konstatuar se ajo kishte të hequr rregullatorin nga goja, gjë që nuk lejohet sipas rregullores së zhytjes”.
Për këtë ngjarje si sot një vit më parë u ndalua pronari agjencisë Saimir Kushova i cili gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, deklaroi se ”se mund të ndodhte për shkak të panikut, i cili mund të përçoj ndjesinë e mosfurnizizimit me oksigjen”.
Ndaj tij u ngrit akuzat nën dyshimin “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Masa e ndalimit dhënë nga gjykata Sarandë ishte detyrim paraqitje pasi Kushova vendosi një garanci pasure prej 15 milion lekë.
Kur sot mbushet një vit nga kjo vdekje tragjike Rebecca Gannon, nuk është bërë ende drejtësi.
Gjykata e Sarandës i tha gazetarit Top Channel Muhamed Veliu, se ka të regjistruar në sistem vetëm seancën e datës 21.09.2022, me objekt kërkese “Vlerësim arresti dhe caktim mase sigurimi”.
Kjo do të thotë se prokuroria e Sarandës megjithëse u mbush një vit nga kjo tragjedi në det, nuk e ka çuar çështjen për gjykim.
Në bazë të drejtës për informim publik Top Channel ne 14 Gusht 2023, pyeti prokurorinë Sarandës se në cilën fazë janë hetimet dhe se kur pritet të dërgohet dosja për gjykim.
Por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk është përgjigjur.
Si shumë e shumë raste edhe ky i turistes angleze Rebecca Gannon është “drejtësi e vonuar e kështu edhe e mohuar”./TCH