Publikohen pamje nga pengmarrja në Sarandë, ku një grup prej 6 turistësh italianë u mbajtën të izoluar në një shtëpi, pasi pronari i saj, Jashar Azemi, dyshonte se i kishin dëmtuar pajisjet.
Siç shihet nga videoja, turistët i kërkojnë pronarit të hapë derën, duke e cilësuar ilegale atë që po ndodh. Ata janë të veshur, me valixhet dhe gati për t’u larguar, por 59-vjeçari iu kontrollon valixhet dhe iu ka kyçur derën e apartamentit, teksa iu kërkon të paguajnë.
Pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 1, një shtetas iu kishte hequr lirinë, në mënyrë të kundërligjshme, disa shtetasve, në një apartament, shërbimet e Komisariatit te Policisë Sarandë kanë mbërritur në vendngjarje, ku kanë vënë në pranga shtetasi Jashar Azemi, 59 vjeç, banues në Prishtinë, si dhe është bërë lirimi i shtetasve, nga apartamenti.
59-vjeçari, për rreth 1 orë, iu ka hequr lirinë 6 shtetasve italianë, në apartamentin që iu kishte dhënë me qira, pasi pretendonte se këta shtetas i kishin dëmtuar disa pajisje në këtë apartament.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.