Komuniteti shqiptar dhe ai italian i Ankonës u tronditën nga vrasja e 23-vjeçarit shqiptar Klajdi Bitri.
Ai u përpoq të shuante një konflikt të çastit midis shokut të tij italian dhe një algjeriani, por ky i fundit e goditi në gjoks me një shtizë peshkimi.
Pas rezultateve të autopsisë, mediet italiane bëjnë me dije se shtiza i shpoi zemrën dhe mushkëritë.
Një hetim i kryer nga mjekja ligjore Loredana Buscemi, konstaton se shtiza i dëmtoi dy organe vitale të cilat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.
Algjeriani Fatah Melloul, 27 vjeç, është arrestuar.
Komuniteti italian ka shprehur ngushëllimet për humbjen e të riut.
Të dashurit më të afërt, shokët e skuadrës së Nuova Aquila ku Klajdi luante dhe Xhulio (vëllai i Klajdit) stërvitej, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të Ankonës, por edhe përfaqësues nga ambasada shqiptare janë ndodhur aty për t’u gjendur pranë dhe për të ndihmuar.
Mes personave të pranishëm është edhe nënkryetari i Bashkisë, Giovanni Zinni, i cili premton se do ta realizojnë dëshirën e shprehur nga të afërmit për marshim nderimi për një djalë shqiptar me zemër kaq të madhe.
“Një djalë i artë, vetëmohues, që u nda nga jeta për të shpëtuar një mikun e tij italian”, shprehen të pranishmit.