Guvernatori i Stambollit, një zyrtar i emëruar nga presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka zbatuar ndalimin e konsumit të alkoolit në vende publike si parqe, plazhe dhe zona pikniku.
Vendimi u mor për të mbrojtur mjedisin natyror dhe për të parandaluar “shfaqjen e situatave negative”, tha guvernatori Davut Gul. Ata që nuk respektojnë këtë rregull mund të përballen me një gjobë prej 617 lirash turke.
Në Turqi, nuk ka asnjë ligj që ndalon në mënyrë eksplicite konsumimin e alkoolit në vende publike. Rregullorja e vetme në fuqi është neni 35 i Ligjit për Kundërvajtje, i cili parashikon gjoba për “individët që prishin qetësinë e të tjerëve nën ndikimin e alkoolit”.
Ky vendim është i fundit në një sërë masash të marra nga qeveria për të kufizuar konsumin e alkoolit në Turqi.
Në 10 vitet e fundit, ka pasur një ndalim të shitjes së pijeve alkoolike në dyqanet e pijeve pas orës 22:00. Në fillim të këtij viti, qeveria e rriti dënimin minimal për shkeljen e kësaj rregulloreje në 215 mijë lira dhe atë maksimale në 1 milion lira. (8500-34000 euro)
Reklamimi i pijeve alkoolike në vitrinat e dyqaneve është gjithashtu i paligjshëm në Turqi.