Shqipëria do të luajë dy finale në shtator kundër Çekisë dhe Polonisë. Tre Kombëtare që do të përballen me njëra-tjetrën për të vendosur dy biletat që të dërgojnë në Europian. Por nëse kuqezinjtë luajnë gjithçka për gjithçka, në mënyrë që të kapin “trenin e fundit”, dy Kombëtaret e tjera e kanë edhe një tjetër mundësi.
Më konkretisht, Polonia dhe Çekia mund të përfundojnë sërish në Europianin e Gjermanisë edhe nëse Shqipëria do të zinte një nga dy vendet e para. Arsyeja gjendet në Ligën e Kombeve, ku për fatin e keq kuqezinjtë nuk ditën ta shfrytëzonin, as duke mos zënë dot vendin e dytë.
Sipas rregullores së UEFA-s, 12 Kombëtare do të luftojnë nga rruga e Ligës së Kombeve për 3 bileta Europiani. Fituesit e 4 grupeve në League A, B dhe C do të luftojnë me njëri-tjetrin për të marrë biletën e mbetur. Pra e thënë më thjeshtë, fituesit e grupeve në League A do të ndeshen me njëri-tjetrin, ku duhet të mundësh dy ekipe për të marrë biletën e Europianit nga League A. Kështu veprohet edhe me League B dhe C. Shpjegimi ideal për rivalët e grupit tonë vjen në videon më poshtë.
Çekia përfundoi në vendin e fundit në Ligën e Kombeve, por është në League A, tek më të mirat. Para saj ishin rivalë si Spanja, Zvicra apo Portugalia. Nëse Spanja si fituese grupe zë një nga dy vendet e para në grupin kualifikues, atëherë i hap vendin Portugalisë në Ligën e Kombeve, që i jep mundësinë për të vazhduar Play Off-in për në Europian. Nëse Portugalia zë një nga dy vendet e parë në grupin kualifikues, i hap vendin Zvicrës për të vazhduar me Play Off-in.
Kështu vazhdon kjo skemë dhe duke parë se emra si Zvicra, Portugalia dhe Spanja kanë shumë mundësi që të dalin në 2 vendet e para në grupin kualifikues, atëherë Çekia ka shumë mundësi për të vazhduar më tej në fazën Play Off të Europian nga Liga e Kombeve, edhe nëse del e 3 në grupin kualifikues.
E njëjta është edhe situata e Polonisë. Në League A, Polonia doli në vendin e 3 pas Hollandës dhe dhe Belgjikës. Nëse Hollanda dhe Belgjika dalin në dy vendet e para nga grupet kualifikuese, atëherë i japin mundësinë Polonisë për të vazhduar më tej në Play Off edhe nëse këta të fundit dalin në vendin e 3, pas Shqipërisë në grup.