Shqipëria do të sfidëojë Republikën Çeke sot në mbrëmje, duke nisur nga ora 20:45. Armand Duka ka besim se kuqezinjtë mund të dalin me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë, që do i afronte edhe më tepër me kualifikimin në Euro 2024. Në një prononcim të dhënë për “TV Klan”, kreu i FSHF-së ka deklaruar se Kombëtarja shqiptare është në të njëjtin nivel me çekët dhe se nuk ndodhet rastësisht në vendin e dytë në grup.
“Tashmë kur kemi bërë 6 pikë, jemi të dytët në grup, pesha e këtyre ndeshjeve bëhet më e madhe për të shkuar drejt objektivit tonë, Euro 2024. Është kryesuesi i grupit. Është një ekip i fortë, fizikisht i fortë, në shtëpi akoma më shumë. Por gjithsesi, ekipi jonë është në të njëjtin nivel. Është i hapur rezultati. Të treja rezultatet janë të mundshme. Është e vështirë të bësh llogari. Këtu duhet të fitosh gjtihmonë për të qenë sa më të qetë dhe të sigurtë. Lojtarët duhet të japin atë që kanë. Nëse japin atë qe kanë, unë kam shumë besim se mund të arrijmë diçka. Nuk jemi rastësisht të dytët në grup. Nuk jemi nga ata që nuk e meritojmë të jemi në finalet e Europianit”, është shprehur Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres