Sokol Cikalleshi ishte i ftuar nëpërmjet një lidhjeje direkte në emisionin “Opinion“ në “TV Klan“. Sulmuesi kavajas ka shpjeguar çfarë ka arritur të ndryshojë Silvinjo në kaq pak kohë te Kombëtarja shqiptare. Lojtari i Koniasporit ka thënë se trajneri brazilian ka ditur si t’i injektojë ndjenjën e patriotizmit futbollistëve që janë rritur jashtë dhe i ka bërë të luajnë për flamur.
“Për të bërë sukses, patjetër që duhet të merresh me detajet. Është një trajner që fokuesohet shumë te detajet. Pothuajse gjysma e ekipit janë lojtarë që janë rritur jashtë trevave shqiptare, trajneri ka ditur shumë mirë që t’i injektojë shpirtin e garës dhe ndjenjën për flamurin. Gjithmonë, në mbledhjet tona fjala e parë është: ‘Jemi një. Luajmë për flamur, luajmë për popullin shqiptar’, çka më parë mungonte.
Lojtarët që ishin rritur jashtë vinin me atë ndjenjën që thjesht po luanin një ndeshje dhe ktheheshin në klubet e tyre. Por tashmë kjo gjë nuk ndodh. Është ajo ndjenja e patriotizmit dhe shpirti i garës në fushë është maksimal. Këtë e ka bërë më së miri trajneri. E ka kuptuar më së miri, edhe nga presidenti apo njerëzit që e njohin Shqipërinë, ashtu siç e pati kuptuar edhe De Biazi, mentalitetin shqiptar”, ka thënë Sokol Cikalleshi./Sport Ekspres/