Sylvinho, trajneri i Kombëtares, ka një meritë të padiskutuar në frymën e jashtëzakonshme që ka krijuar rreth ekipit përfaqësues. Në FSHF, stafi drejtues, anëtarët e “familjes”, të gjithë janë të mahnitur nga përkushtimi i tij, madje edhe vetë presidenti Duka, Sylvinho është i pari që futet në zyrë dhe i fundit që del. Në fillim dukej si një legjendë, por ky është një fakt i konfirmuar nga çdo ditë e më shumë. Trajneri i Kombëtares, së bashku me stafin e tij është 100% i përkushtuar ndaj këtij “misioni”, është gjithnjë në lëvizje për të parë, folur, apo qoftë dhe thjesht për një vizitë, të gjithë lojtarët e ekipit përfaqësues, apo kandidatët potencial.
Me një nuhatje të vërtetë, tashmë edhe si trajneri, Sylvinho vendosi të ndiqte live Ernest Muçin në sfidën që Legia e Varshavës zhvilloi kundër Aston Villa-s. Sylvinho së bashku me Doriva-n ishin të pranishëm në shkallët e stadiumit ku shijuan spektaklin e yllit kuqezi. Muçi realizoi një “dopietë” fantastike ndërsa i gjithë stadiumi i çua në këmbë duke brohoritur emrin e tij. Sylvinho nuk ka dyshuar kurrë në cilësitë e Muçit, në çdo deklaratë ka vlerësuar potencialin e tij.
Burime për News24 konfirmojnë jo vetëm faktin që Sylvinho dhe Doriva ishin në stadium, por në fundin e sfidës, së bashku me Muçin kanë darkuar, një detaj që do të thotë shumë. Muçi është një nga elementet më të rëndësishëm të ekipit përfaqësues, pavarësisht se në dy sfidat e fundit nuk u preferua për asnjë minutë. Situata mund të ndryshojë, madje duke nisur nga sfida e radhës, ajo kundër Republikës Çeke, pasi Muçi është pa frikë “legjionari” i momentit.