150 bletërritësve të zonës së fshatit Dukat të Vlorës iu shtua dhe një 28 vjeçar, i cili la emigrimin në Itali për të punuar pranë familjarëve të tij.
“Nuk mund të jetoja në Itali pasi jetesa atje ishte shumë e vështirë. Emigrimi është shumë i vështirë, pasi mungojnë miqtë, familjarët mungojnë shumë gjëra. Ndërsa këtu je afër me familjen dhe punon së bashku me ta”, shprehet bletërritësi, Edison Qesargjoni.
Qesargjoni ndodhet në zonën poshtë malit të Karaburunit, aty ku kujdesej për kosheret e bletëve me tymuesen në dorë.
“Unë këtu primare kam bletarinë që e kam trashëguar nga babai dhe shkoj çdo ditë në zonën ku ndodhen kosheret, po ashtu dhe punë të tjera që ka familja me bujqësinë. Kemi rreth 240 koshere me bletë si familje, në Karaburun dhe në zonën e fshatit të Dhërmiut, por kemi dhe probleme”, shprehet 28-vjeçari, “mungesën e tregut të shitjes së mjaltit apo dhe prodhimeve të tjera bujqësore, po ashtu mungesa e subvecioneve”, thotë ai.
Edisoni ka nisur dhe universitetin. Ai u bën thirrje dhe bashkëmoshatarëve të tij që nëse u jepet mundësia të kthehen në vendlindje./ Top Channel