Atalanta barazoi dje me shifrat 2-2 kundër Shturm Gracit. Një barazim që është përjetuar si një humbje për Berat Gjimshitin. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka folur për kanalin zyrtar të klubit Atalanta pas ndeshjes dhe është shprehur se në ndeshje të tilla duhet shënuar sa më shumë për ta hipotekuar sa më shpejt fitoren.
“M’u duk si një humbje sot (dje), sepe në një ndeshje si kjo nuk mund të barazosh këtu në Grac. Në pjesën e parë ata patën pak raste dhe shënuan gol me fat, por ne dominuam lojën. Luajtëm mirë, e qarkulluam topin shpejt. Në pjesën e dytë ata morën karton të kuq dhe ne ndaluam, nuk po sulmonim. Në ndeshje të tilla duhet të shënosh golin e tretë dhe ta vësh ndeshjen në gjumë. Nuk i dihet kurrë se çfarë ndodh, një kundërsulm, ose një incident si penalltia që iu dhurua atyre dhe barazuan. E pamundur të barazosh një ndeshje si kjo”, ka thënë Berat Gjimshiti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/