Jorgaq Thëngjilli, është 21-vjeçari që shkaktoi aksidentin e rëndë pranë Kryeministrisë, mesditën e kësaj të diele.
I riu, i lindur në Greqi dhe banues në Tiranë, është arrestuar nga policia pasi akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ai i është nënshtruar edhe testit të alkoolit dhe lëndëve narkotike, por ka rezultuar negativ.
Shkak për aksidentin që mund të kishte pasoja tragjike është bërë shpejtësia tej normave të lejuara.
Ai po ecte me shpejtësi të lartë me makinën e tij tip “Benz”, nga rruga e Liceut drej Kryeministrisë, kur për shkaqe ende nën hetim ka humbur kontrollin e mjetit duke përplasur dy të rinj që po ecnin në trotuar.
Të dy të aksidentuarit u dërguan në spitalin e Traumës, ku një prej tyre, vajzë, ishte në gjendje të rëndë.
Ndërkohë vlen të thuhet se kjo nuk është hera e parë që 21-vjeçari shkakton probleme në qarkullim, pasi është ndëshkuar më përpara për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara.