Të tjera pamje mjaft shqetesuese janë publikuar këtë mbrëmje që dëshmojnë dhunën e ushtruar ndaj vajzës 3-vjeçare brenda kopshtit privat “Stinët”, në rrugën “Kushtrimi i lirisë” në Tiranë.
Ngjarja edhe pse ka ndodhur më 1 Nëntor 2023 është bërë publike vetëm kohët e fundit.
Ndërkohë, babai i të miturës ka deklaruar se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10 të mëngjesit. Mirëpo është njoftuar për gjendjen e 3-vjeçares 5 orë më vonë, atëherë kur situata kishte dalë jashtë kontrollit.
“Ka qenë data 1 Nëntor 2023. Vajza u çua nga ime shoqe në orën 8 e 20 dhe ne ikëm në punë siç çdo ditë. Kur e çuam vajzën në mëngjes ishte në rregull, si çdo ditë tjetër. Në orën 3, njoftohet nusja që “hajde merre vajzën sepse ka dhimbje tek këmba dhe po grindet, diçka e ka pickuar”.
Këmba ishte e enjtur dhe ishte fryrë sa koka e vajzës. Kur mbërritëm në Urgjencën e “Ushtarakut”, u futëm brenda dhe kërkuam ndihmën e shpejtë dhe aty dolën mjekët që ishin specialistë të kësaj fushe dhe në momentin që i bënë grafinë, grafia doli në një thyerje shumë të keqe, ishte thyer këmba, pjesa e kofshës në një gjendje skandaloze,” tha babai i të miturës.
Së fundi është zbardhur edhe një pjesë e dëshmisë së edukatares së kopshtit “Stinët”, Majlinda Dehima.
Ajo ka pranuar para unifromave blu se e ka goditur me vizore të miturën, por sipas saj nuk kishte qëllim për ta dëmtuar. Dehima tha se qëllimi i vetëm ishte të bindte vajzën 3 vjeçare që të merrte pjesë në mësim.
Ajo pretendon se më pas e ka dërguar vajzën për të fjetur gjumë dhe nuk ka shfaqur asnjë problem. Kur është zgjuar pas 2 orë e gjysëm, edukatorja tha se e mitura shfaqi shqetësime se ndjente dhimbje.
Në dëshminë e saj, edukatorja tregoi se vajza me shumë mundësi është dëmtuar te krevati, prej hapësirave që ka aty.
Deri më tani Zv/shefi i komisariatit nr.1 në Tiranë dhe 2 nënkomisarë janë pezulluar nga detyra pas dhunimit të 3 vjeçares në një kopsht privat në Tiranë. Sipas policisë është konstatuar se veprimet nuk janë kryer të plota pasi nuk ishte bërë këqyrja e pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në ambientet e kopshtit.
Edhe Ministrja e Arsimit ka reaguar në lidhje me ngjarjen skandaloze të shënuar në koshtin “Stinët”, ku edukatorja dhunoi barbarisht, duke i thyer këmbën 3-vjeçares. Ministria e Arsimit thotë se nga verifikimet e kryera rezulton se kopshti është në paligjshmëri dhe ushtron aktivitetin i pa licensuar si institucion arsimor parauniversitar privat.
Ndër të tjera në reagim thuhet MAS ka ngritur menjëherë Task-Forcën institucionale për verifikimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në shërbimet për fëmijët, në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe policinë e shtetit. Sakaq, kopshti “Stinët, ku ndodhi edhe ngjarja është mbyllur.