Një foshnje e porsalindur është gjetur e braktisur këtë të mërkurë në bodrumin e një pallati në Yzberisht.
Ka qenë një banor i pallatit ai që ka konstatuar foshnjen e mbështjellë me një batanije në divanin që shihni në foto. Menjëherë ai ka njoftuar policinë dhe kanë qenë efektivët ata që më pas kanë dërguar foshnjen në spital.
Aktualisht foshnja gjendet në spital nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa vijojnë hetimet për të zbuluar kush e ka braktisur fëmijën në bodrum.
Kamerat e ambienteve përreth mund të kenë filmuar personin që ka braktisur foshnjen dhe për këtë arsye policia ka kërkuar pamjet filmike të tyre.
Nga ana tjetër, banori që ka gjetur foshnjen ka treguar se ka qenë duke pirë cigare në garazh, kur ka parë fëmijën e mbuluar me batanije. Ai thotë se nuk e ka verifikuar nëse foshnja kishte apo jo shenja jete, por vetëm ka njoftuar policinë.