Ka ndërruar jetë mbrëmë në Gjermani, 10 ditë pas aksidentit në kantierin e ndërtimit shqiptari 33 vjeçar, Alfred Visha.
Alfred Visha, baba i tre fëmijëve, mbeti i plagosur rëndë pas aksidentit në kantierin e ndërtimit në Hamburg të Gjermanisë ku 4 shqiptarë të tjerë humbën jetën.
Aksidenti i rëndë në punë, ku humbën jetën 5 shqiptarë, u shënua të hënën e 30 Tetorit 2023 në një kantier ndërtimi në Hafencity të Hamburgut në Gjermani.
Grupi i punëtorëve shqiptarë ishin në Gjermani me pasaporta false bullgare, gjë e cila solli edhe identifikimin me vështirësi të tyre. Ata punonin në të zezë tek punëdhënësi i cili ishte shtetas kosovar. Ngjarja ndodhi teksa shqiptarët po punonin për ndërtimin e një pallati në zonën e HafenCity.
700 punëtorët që punojnë çdo ditë në kantierin e madh të ndërtimit të qytetit Hafen u urdhëruan të evakuoheshin menjëherë në vendin ku ndodhi tragjedia. Skela ku po punonin shqiptarët në katin e tetë të një pallati u shemb dhe ra në një bosht ashensori.