Altin Rraklli është i bindur që trajnerit Silvinjo i duhet dhënë të drejtë në çdo zgjedhje që bën, pasi po tregon ndeshje pas ndeshje se po vepron në mënyrën e duhur. Ish-sulmuesi i njohur i Kombëtares shqiptare, ka argumentuar se pse vendimet e brazilianit nuk duhen kontestuar, sido që të duken ato nga jashtë.
Në intervistën e tij për “Sport News” në ”News 24”, në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, ai është ndalur te ajo që trajneri po i jep Kombëtares, sa afër janë kuqezinjtë me një rekord historik dhe se është situata e sulmit të mbipopulluar ku nuk ka dhënë ende kontributin e tij Armando Broja.
Altin, në bisedën e fundit, ishim live nga Praga. Jo vetëm ishit i bindur që nuk humbnim përballë Çekisë, por gjetët dhe rezultatin në kokë, 1-1. Tani jemi sy e veshë për të dëgjuar parashikimin e radhës. Si del sfida me Moldavinë?
Ashtu rastisi, pasi unë nuk shquhem për gjetje të rezultateve. Unë, duke u nisur nga përformanca e skuadrës, jam besimplotë. Do jetë ndeshja më e vështirë, ndoshta më e vështirë se Çekia. Moldavia është një ekip kompakt në mbrojtje, shumë e vështirë t’i shënosh. Po them 0-1 ose 0-2, nuk pësojmë gola atje.
Askush nuk bën llogari, as Silvinjo e as lojtarët nuk futen në fushë për “X”. Do na mjaftonte dhe një barazim. Çfarë tregon ky detaj?
Është në rregull ajo që thotë trajneri, nuk mund të bësh llogari. 90 minuta janë shumë dhe mund të pësosh gol. Siç sulmove në Çeki, bëj të njëjtën gjë edhe këtë herë. Në momentin që ti shënon, loja do jetë më e rrjedhshme. Trajneri ka të drejtë.
Rraklli, po të shohësh listën e lojtarëve kemi tetë sulmues, reparti me më shumë lojtarë. A ka ndryshuar tashmë filozofia e Kombëtares? A jemi tashmë në një realitet të ri?
Nuk ka ndodhur ndonjë që në listë të ketë më shumë sulmues se mesfushorë. Silvinjo e ka bërë diçka të tillë. Merita i takon atij. Kemi sulmues me tipare mesfushori. Asani në rastin konkret, ai kthehet mbrapa shumë. Broja? Janë situata të brendshme. Në aspektin e përgjithshëm, një lojtar i tillë nuk duhet të lihet jashtë. Uroj të jetë siç thonë. Një përjashtim përfundimtar nuk do ishte e drejtë dhe nuk do ishte diçka e zgjuar. Nëse do isha trajner, do e kisha grumbulluar.