Besnik Prenga ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmesën e lojtarëve shqiptarë, të prodhuar në tokën tonë. Lokomotiva e Zagrebit është kthyer prej vitesh në një Kombëtare të dytë për shqiptarët dhe kjo edhe falë punës së Besnik Prengës. Në një intervistë për emisionin Koha Shtesë, Prenga ka treguar sesi është pritur ky short në Kroaci dhe njëkohësisht, se çfarë e pret Shqipërinë nga përballja me kroatët.
“Nëse Europiani do të zhvillohej në dhjetor, Shqipëria do të kishte më shumë shanse të kualifikohej nga grupet se Kroacia. Por deri në qershor, Kroacia do të bëhet prapë një ekip i fortë, duke parë edhe lojtarët se ku janë pjesë, në skuadrat më të mira në Europë. Kroacia mbetet Kroaci, nuk ka lënë gjurmë në Europian sa në Botëror, por është shumë rival i fortë. Nuk di të them se shanse mund të kemi për t’u kualifikuar. Në grupin tonë na ranë 3 rivalët më të fortë, nga 10 ekipet më të forta të Europës, 3 i kemi ne.
I kam parë mediat shqiptare dhe bëjnë një gabim. Thuhet se Kroacia është e plakur, por në realitet, përveç Luka Modric, mosha mesatare e Kroacisë është njësoj sa ajo e Shqipërisë. Nuk duhet të kemi shpresa te plakja e Kroacisë. Për mua ndeshja vendimtare e Shqipërisë do të jetë me Italinë dhe duhet me patjetër që të fitojmë kundër Italisë, aty janë shanset më të mëdha për të fituar.
Uzunin e njoh prej 6 vitesh, e kam ndjekur formën e tij dhe mënyrën sesi është rritur si lojtar. Mendoj se do të na i japi në grupe golat që do të kënaqin, më e bukura vjen tani. Është tjetër gjë kualifikuese dhe tjetër një ndeshje e rëndësishme në Europian. Ai do të punojë shumë me stërvitje dhe paraqitjen në klub, do të jetë prapë si titullar te Shqipëria dhe do ta vendos emrin e tij në historinë e futbollit shqiptar. Sa i përket Tucit, është një lojtar fantastik, dëmtimi e la pak mbrapa, por tani është rikthyer në formën ideale. Me këtë moment që po kalon, Tuci duhet të jetë përfaqësues i Shqipërisë në Europianin e Gjermanisë”, tha Prenga. /Sport Ekspres/