Një ditë më parë, Policia e Kosovës arrestoi 55-vjeçarin Gëzim Çela (Çelaj), ish-punonjësi i policisë i konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë.
Çela i cili është cilësuar si “baroni i trafikut të drogës” që vinte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore, është arrestuar në Ferizaj.
Në momentin e arrestimit, Çela ka qenë nën shoqërinë e dy vajzave nga Shqipëria dhe një burri nga Kosova, i cili e kishte strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë.
Gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur dhe konfiskuar një kallashnikov me 15 fishekë.